Irani thotë se ka më shumë uranium të pasuruar sesa raportoi OKB-ja
Shefi i Iranit për çështje bërthamore ka thënë se Teherani ka pasuruar më shumë uraniumin sesa kanë raportuar inspektorët bërthamorë të Kombeve të Bashkuara muajin e kaluar.
Duke folur për televizionin shtetëror iranian, Mohammad Eslami, ka thënë se Irani ka 120 kilogramë të uraniumit të pasuruar me 20 për qind.
Në shtator, Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore vlerësoi stokun e Iranit prej 84.3 kilogramë.
Për të krijuar armë bërthamore duhen 170 kilogramë të uraniumit të pasuruar deri në 20 për qind. shumica e armëve bërthamore, megjithatë, përdorin uranium të pasuruar deri në 90 për qind.
Sipas marrëveshjes së vitit 2015 ndërmjet Iranit dhe komunitetit ndërkombëtar, Teheranit iu ndalua që të pasuronte uraniumin përtej 3.67 për qind. Në këmbim, vendet nënshkruese u pajtuan që Iranit t’i lejohej pasurimi i uraniumit deri në 20 për qind për reaktorët e kërkimit.
“Por, kjo marrëveshje nuk u respektua. Nëse ne nuk do ta prodhonim vet, do të shndërrohej në problem”, ka thënë ai.
Marrëveshja bërthamore po ashtu i mundësoi Iranit lehtësim të sanksioneve, në këmbim të frenimit të programit bërthamor. Teherani insiston se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore.
Më 2018, Shtetet e Bashkuara u tërhoqën njëanshëm nga marrëveshja dhe rivendosën sanksione ndaj Iranit, duke thënë se marrëveshja bërthamore dështoi që të adresojë programin për raketa balistike të Iranit dhe mbështetjen që Teherani u jep grupeve terroriste në Lindjen e Mesme.
Që prej tërheqjes së ShBA-së nga marrëveshja, shtetet e tjera nënshkruese – Britania, Franca, Gjermania, Kina dhe Rusia – kanë tentuar që ta ruajnë këtë pakt.
Presidenti amerikan, Joe Biden ka deklaruar se është i hapur për mundësinë e rikthimit në marrëveshje, por bisedimet me Iranit ende nuk kanë prodhuar rezultate të qarta.