Irani thotë se ka parandaluar sulmin e dytë kibernetikë
Një zyrtar i lartë në Qeverinë e Iranit, ka thënë se Tehrani ka parandaluar një sulm të dytë kibernetik ndaj vendit, disa ditë më parë.
Ministri i Telekomunikimit të Iranit, Mohammad Javad Azari Jahromi, ka thënë se sulmi ishte identifikuar dhe parandaluar nga mbikëqyrësit e sistemit të sigurisë kibernetike.
Jahromi ka thënë se qëllimi i sulmit ishte të ketë qasje në informata në inteligjencën qeveritare të Iranit.
Ai ka shtuar se serverët e hakerëve janë identifikuar, por nuk dha më shumë informata.
Më 11 dhjetor, Jahromi kishte thënë se një sulm i madh kibernetik e ka pasur për cak infrastrukturën elektronike të Iranit.
Në qershor, zyrtarë të Uashingtonit kishin thënë se ushtria amerikane kishte kryer një sulm kibernetik kundër sistemit kompjuterik të ushtrisë iraniane në kohën kur presidenti amerikan Donald Trump, ishte duke u kundërpërgjigjur pas rrëzimit të dronit të ShBA-së në Gjirin Persik.
Tensionet në mes të ShBA-së dhe Iranit kanë eskaluar që nga viti 2018, kur Trump është tërhequr nga marrëveshja bërthamore me liderët botëror dhe rivendosi sanksione ndaj Iranit.