Irani thotë se lajmëroi aleatët për sulmin 72 orë përpara

14 prill 2024 | 15:42

Irani i ka lajmëruar vendet fqinje për sulmet hakmarrëse kundër Izraelit 72 orë përpara, ka thënë ministri i Jashtëm iranian, Hossein Amirabdollahian.

“Rreth 72 orë para nisjes së operacioneve tona, ne i kemi informuar miqtë dhe fqinjët në rajon që përgjigjja e Iranit kundër Izraelit është e qartë, legjitime dhe e pakthyeshme”, ka thënë ai.

Ai ka thënë, po ashtu, se Irani i ka informuar Shtetet e Bashkuara se sulmet e tij kundër Izraelit do të jenë të “kufizuara” dhe për vetëmbrojtje, gjatë një takimi me ambasadorë të jashtëm, raporton rel.

Izraeli dhe aleatët e tij i kanë rrëzuar pjesën më të madhe të rreth 300 dronëve dhe raketave të nisura përgjatë natës prej Iranit.

Shpërthime të mëdha janë dëgjuar në orët e para të mëngjesit të së dielës në Izrael, teksa sistemi ajror izraelit i ka rrëzuar raketat dhe dronët në ardhje.

Ushtria amerikane dhe ajo britanike është thënë të kenë ndaluar një numër të madh të raketave dhe dronëve ende pa arritur në Izrael.

Autoritetet izraelite kanë raportuar vetëm për dëme të lehta në një instalim ushtarak dhe kanë thënë se një vajzë shtatëvjeçare është plagosur rëndë, pasi pjesa më e madhe e raketave janë rrëzuar pa arritur në tokë.

Irani ka thënë se sulmet janë kundërpërgjigje të një sulmi të kryer në konsullatën iraniane në Siri, më 1 prill, si pasojë e të cilit janë vrarë disa iranianë, përfshirë figura të rëndësishme ushtarake.

Izraeli as nuk e ka pohuar, as nuk e ka mohuar kryerjen e sulmit.

Presidenti iranian, Ebrahim Raisi, e ka paralajmëruar Izraelin kundër ndonjë “sjelljeje të pamatur”, pas sulmit, duke thënë se përgjigja pasuese e Teheranit do të jetë “edhe më e fuqishme”.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në emision “SOL”, të “Klan…