Irani ua hap dyert 85 mijë të burgosurve
Irani ka liruar përkohësisht rreth 85 mijë të burgosur, përfshirë edhe të burgosurit politikë. Këtë vendim e ka marrë për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit, kanë bërë me dije zyrtarë qeveritarë të këtij vendi.
Zëdhënësi i Ministrisë së Drejtësisë, Gholamhossein Esmaili, ka thënë se gjysma prej tyre ishin të burgosur për “shkak të zënkave të vogla që i kanë pasur dhe kanë shkelur ligjin”, transmeton Telegrafi. Ai, gjithashtu, pranoi se janë ndërmarrë veprimet e duhura për t’u përballur me përhapjen e mëtejme eventuale të virusit vdekjeprurës.
Në anën tjetër, Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se të burgosurit tashmë janë të infektuar për shkak të mbipopullimit të burgjeve në Iran dhe sëmundjeve që kanë shpërthyer më herët brenda qelive nga mungesa e pastërtisë, duke u bërë thirrje që të gjithë të burgosurit politikë të lirohen.
E zëdhënësi i ministrisë nuk ka komentuar nëse të burgosurit do të rikthehen nëpër burgje në momentin që konstatohet se gjendja në vend është më e sigurt nga koronavirusi.