Irani “zhduk” pajisjet e komunikimit, Garda Revolucionare i druhet shpërthimeve të telekomanduara
Frika për shpërthime të mundshme të telekomanduara, si ato që përfshinë biperat apo radiot e komunikimit të përdorura nga Hezbollahu në Liban, kanë detyruar gardën revolucionare të Iranit të urdhërojë pjesëtarë e vet të mos përdorin asnjë lloj pajisje komunikimi.
Burime të cituara nga agjencia e lajmeve Reuters bëjnë më dije se një operacion i shkallës së gjerë po zhvillohet nga Garda Revolucionare, për të inspektuar të gjitha pajisjet dhe jo vetëm ato të komunikimit, shkruan A2 CNN. Siç thuhet, shumica e tyre janë të prodhuara në vend ose të importuara nga Kina dhe Rusia. Irani është i shqetësuar mbi mundësinë e infiltrimit të agjentëve Izraelitë, përfshirë iranianë të paguar nga Izraeli dhe po e nënshtron personelin ndaj hetimeve të imtësishme. “Këtu përfshihen edhe kontrolle të llogarive bankare si në Iran ashtu edhe jashtë vendit, e gjithashtu në historikun e udhëtimeve të familjarëve të personelit”, citohet një zyrtar i sigurisë në Iran.
Në një sulm të koordinuar, bipera të përdorua nga Hezbollahu shpërthyen rreth bastioneve të Hezbollahut të martën e kaluar. Një ditë më vonë, një akt i ngjashëm përfshiu radiomarrëset. Të paktën 39 vetë mbetën të vrarë dhe mbi 3 mijë të tjerë u plagosën në sulmin, që iu atribuua Izraelit. Zyrtari i sigurisë që citohet nga Reuters refuzoi të jepte detaje se si personeli prej 190 mijë personash i Gardës Revolucionare po komunikonte aktualisht. “Për momentin po përdorim sistemet e koduara të mesazheve”, mjaftohet të thotë ai.