Irani zotohet për hakmarrje ndaj Izraelit: Ata sulmuan territorin tonë
Udhëheqësi suprem i Iranit Ayatollah, Ali Khamenei, përsëriti të mërkurën një premtim për t’u hakmarrë kundër Izraelit për vrasjet e gjeneralëve iranianë në Siri.
Khamenei i bëri deklaratat gjatë një ceremonie kushtuar fundit të muajit të shenjtë të Ramazanit, duke thënë se sulmi ajror që shkatërroi konsullatën e Iranit në Siri në fillim të këtij muaji ishte një goditje kundër një posti diplomatik që konsiderohet territor iranian.
“Kur ata sulmuan seksionin tonë të konsullatës u duk sikur sulmuan territorin tonë”, tha Khamenei. “Regjimi i tyre duhet të ndëshkohet dhe do të dënohet”.
Sulmi vrau 12 persona: shtatë anëtarë të Gardës Revolucionare iraniane, katër sirianë dhe një pjesëtar i milicisë së Hezbollahut. Izraeli nuk e ka pranuar përfshirjen e tij, megjithëse është përgatitur për një përshkallëzim të luftës me Hezbollah që komandohet nga Irani.
Televizioni shtetëror iranian transmetoi drejtpërdrejt komentet e Khameneit. Lideri Suprem nuk dha detaje mbi mënyrën se si Irani do të hakmerrej.