Iranianët edhe në kohën e pandemisë e festojnë Vitin e Ri
Kërkesa e qeverisë iraniane bërë qytetarëve në këto ditë pandemie botërore, që të qëndrojnë në shtëpitë e veta, është injoruar shumë. Policia e këtij vendi ka thënë se mbi 1.2 milion njerëz kanë dalë rrugëve për ta festuar Vitin e Ri Iranian.
Qytetet veriore të bregut të Kaspikut raportuan dhjetëra mijëra vetura me njerëz që ishin nisur drejt qendrave më të njohura të pushimeve, shkruan “The Guardian”.
Sipas të dhënave të publikuara të premten, Irani tashmë i ka rreth 20 mijë të infektuar me koronavirus dhe mbi 1 400 të vdekur nga kjo sëmundje. Vetëm në 24 orët e fundit, atje u regjistruan 1 237 infektime të reja dhe 149 vdekje.
Të gjitha shtresat e shoqërisë iraniane, përfshirë ushtrinë dhe udhëheqësit fetarë, kanë kërkuar nga njerëzit që të qëndrojë në shtëpi edhe gjatë festës së tyre, kur miliona iranianë tradicionalisht e vizitojnë njëri-tjetrin për ta festuar ardhjen e pranverës.
Autoritetet në qytetin e dytë më të madh në Iran, Mashhad, thanë se kësaj radhe kishte vetëm 2 për qind më pak trafik se vitin e kaluar, pavarësisht prej thirrjes së zyrtarëve për izolim në shtëpi.