Irlanda konfirmon përkrahjen për Kosovën
Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm dhe të Mbrojtjes të Republikës së Irlandës, Simon Coveney.
“Shpreha mirënjohje për Irlandën si pjesë e grupit të parë të shteteve që kanë njohur Kosovën në ditët e para të shpalljes së pavarësisë. Z. Coveney e njoftova për marrëveshjen e Uashingtonit, dhe kërkova që edhe Irlanda të përkrahë njohjen reciproke në kufijtë ekzistues si epilog përfundimtar mes Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Haradinaj-Stublla në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ajo ka treguar se ministri Coveney i ka konfirmuar përkrahjen e fuqishme të Irlandës për zgjerimin e Bashkimit Evropian drejt Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se anëtarësimi në BE do të ketë efekt të fuqishëm transformues dhe ndikim të madh stabilizues në rajon.
“U pajtuam që të thellojmë bashkëpunimin bilateral për të forcuar lidhjet tona politike e ekonomike, dhe të orientojmë rininë e Kosovës drejt BE-së – në shtëpinë e tyre natyrale, gjeografike e politike”, ka deklaruar ministrja Haradinaj-Stublla.
(Q.R / Epoka e re)