Irlanda merr kryesimin e Komitetit të Ministrave në Këshill të Evropës
Republika e Irlandës ka marrë kryesimin për gjashtë muajt e ardhshëm të Këshillit të Evropës, është vendosur sot në mbledhjen e Komitetit të Ministrave të KiE-së. Lajmin e ka bërë të ditur Këshilli i Evropës në një njoftim për media.
“Irlanda ka marrë kryesimin e radhës të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës nga Italia në takimin vjetor të ministrave të jashtëm nga 46 vendet anëtare të organizatës”, thuhet në njoftim.
“Në dorëzim, kryetari në largim i Komitetit të Ministrave – Ministri i Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar i Italisë, Luigi Di Maio – dha një pasqyrë të arritjeve të vendit të tij gjatë gjashtë muajve të fundit. Kryetari i ardhshëm – Ministri i Punëve të Jashtme i Irlandës, Simon Coveney – prezantoi prioritetet e Presidencës irlandeze, e cila do të zgjasë deri në nëntor”, vijon njoftimi.
Në këtë mbledhje të Komitetit të Ministrave të KiE-së nuk është vendosur në agjendë çështja e aplikimit të Kosovës në këtë organizatë.
Për këtë ka reaguar Partia Demokratike e Kosovës, e cila përmes deputetes Ariana Musliu-Shoshi akuzoi qeverinë për “fjetje në diplomaci”. Qeveria e Kosovës nuk është deklaruar rreth ngjarjes.