Irlanda refuzon bisedimet për kufirin
Procesi i shkëputjes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian po hyn në një udhë pa krye. Propozimi i kryeministres Theresa May për ridiskutimin e çështjes së kufirit mes Irlandës së Veriut që është pjesë e Britanisë dhe Republikës së Irlandës nuk është pritur mirë nga Brukseli dhe vendet anëtare të unionit. E para që reagoi ishte ministrja irlandeze për çështjet evropiane Helen Mcentee. “Ajo që s’mund dhe nuk do t’a bëjmë sepse nuk kemi qenë fare të pranishëm në këtë procesin e Brexitit, është të përfshihemi bisedime dypalëshe me politikanët e Irlandës së Veriut apo Britanisë së Madhe”, ka deklaruar Mcentee.
Edhe nën-presidentja e Parlamentit Evropian, Meirid Mekgines, ka deklaruar se kërkesa për një traktat të ri mes Republikës së Irlandës dhe Britanisë për Irlandën e Veriut është e panegociueshme. Në planin e May-t që u hodh poshtë nga parlamenti britanik parashikohej që doganat mes Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës të vendoseshin jashtë ishullit. Me daljen e Britanisë nga BE ndryshojnë edhe kushtet për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave mes Irlandës së Veriut dhe Republikës së Irlandës./tvklan/