Ironizon Kastrati: Ura e Ibrit do të hapet sa për të bërë foto militantët e VV-së
BE-ja planifikon që “statusi” i urës së Ibrit të jetë në agjendën e takimit të radhës së dialogut Kosovë – Serbi.
Kurse, deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Ardian Kastrati, thotë se hapja e Urës nuk duhet të përfshihet në dialog me Serbinë, por ura duhet të hapet në dialog me ShBA-të dhe NATO-n.
Kastrati në një prononcim për GazetaBlic,thekson se Kurti ka rezistuar në çdo mënyrë dialogimin me miqtë amerikanë.
“Hapja urës nuk duhet të përfshihet në dialog me Serbinë. Ura duhet të hapet në dialog me SHBA dhe NATO. Mirëpo, problemi është që Kurti ka rezistuar në çdo kohë dhe në çdo mënyrë dialogimin me miqtë amerikanë. Ndoshta ky është plani i tij i fshehtë që ta dramatizojë këtë punë deri në atë masë sa që në Bruksel ta bëjë Vuçiçin hisedar për çështje të brendshme të Kosovës, siç edhe ka ndodhur më herët”, tha ai.
Tutje, Kastrati thekson se Kurti dëshiron që ta bëjë hapjen e urës vetëm si një simbolikë për t’i ushqyer ‘besimtarët’ e tij për vota dhe jo si një proces integrues për komunitetin atje.
Sipas tij, nëse ndodh hapja e urës, do të jetë një situatë e njëjtë me atë të Liqenit të Ujmanit, ku thekson se pas hedhjes së bombës, notuesit e VV-së nuk shkuan më për not në Ujman, dhe njësoj do të ndodhë edhe me urën. Sipas Kastratit, do t’i kemi disa foto të militantëve të VV-së për disa ditë dhe pastaj ura nuk do të bëhet plotësisht funksionale për shkaqe sigurie.
“Nëse ky nuk është rasti, atëherë është e qartë se Kurti po e do me çdo kusht hapjen e urës vetëm si smbolikë për t’i ushqyer besimtarët e tij për vota, por jo si proces integrues për komunitetin atje. Ky pra e do si akt hapjen e urës, vetëm sa për ta parë militantët e tij të verbër që ura u hap, pavarësisht a do të mbetet funksionale përgjithmonë apo jo! Kjo do të ishte e ngjashme me situatën e notit 2-3 ditor në Ujman, ku pas hedhjes së bombës ata notuesit pehlivana të VV-së i mbushën brekët dhe nuk shkuan më për not në Ujman. Njëjtë ka me ndodhë me urën nëse hapet pa koordinim me NATO-n. Do të kemi 2-3 ditë foto çasti të militantëve të VV-së sikur të ishte një urë në Venedik dhe pas pak ditësh qarkullimi masiv me automjete do të reduktohet për shkaqe sigurie. Pra, nuk do të bëhet plotësisht funksionale”, shtoi Kastrati.
Ai thotë se kjo do të ndikojë në aspektin e sigurisë së ushtarëve amerikanë, ku dëmet do të jenë kolosale në relacion me partnerët perendimorë, të cilët mund të na ndëshkojnë për herë të dytë.