Isa Mustafa: Albin Kurti po reciton, LDK e bëri kryeministër

17 maj 2020 | 15:40

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i ka quajtur recitime deklaratat e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, i cili e ka quajtur LDK-në “klub të stërvjetruar”.

Mustafa i është përgjigjur Kurtit i cili, po ashtu ka thënë se LDK-ja është parti e korruptuar.

“Nuk jam duke i përcjellë recitimet e Albin Kurtit. Por, vlerësoj se do të ishte më mirë që ai, si kryeministër në detyrë, këto ditët e fundit, të merret me disa punë të qeverisë dhe jo me LDK-në. Kurti s’do të bëhej kryeministër pa përkrahjen e LDK-së. Prandaj, në qoftë se ka pranuar që të korruptuarit, sipas tij ta bëjnë kryeministër, kjo dëshmon se edhe ai vetë në mendje dhe në logjikë është i korruptuar”, ka thënë Mustafa në një përgjigje për “Express”.

Mustafa ka thënë se LDK-ja është unike, por nuk përjashton mundësinë se brenda partisë së tij ka individë që nuk janë në linjën e njëjtë me të.

“Këtu nuk është problemi te LDK, sepse neve jemi një, të vjetër dhe të rinj, me përjashtim të ndonjë individi, por të logjika e Vetëvendosjes”, është shprehur Mustafa.

I pari i LDK-së thotë se Kurti nuk ka të drejtë të merret me LDK-në, pasi e ka shkelur Kushtetutën dy herë brenda një muaji.

Mustafa ka përmendur edhe punësimet e anëtarëve të LV-së në kompani publike e borde.

“Ata që shkelin Kushtetutën 2 herë brenda një muaji, që i mbushin bordet e kompanive publike me militantë të tyre partiakë, s’kanë të drejtë të merren me LDK-në. Nga LDK-ja do duhej të mësonin se si qeveriset mirë dhe pa korrupsion”, ka deklaruar Mustafa.

Një natë më parë, në emisionin “DPT te Fidani”, Albin Kurti, ka thënë se LDK-ja udhëhiqet nga një “klub i stërvjetëruar”

“Është një lloj i koalicionit i atyre që i kanë humbur zgjedhjet dhe po përpiqen ta zënë trenin e fundit i cili besoj se iu ka ikur ky është një klub i stërvjetruar i cili po dëshiron të kthehet në qeveri. LDK-ja ka kandiduar me Vjosa Osmanin për kryeministër, ndërkohë jo që nuk ia dha asaj por as të dytit pas saj. Bëhet fjalë për konjuktura tavolinash, e jo për mënyrë demokratike si do duhej të kishte në Republikën tonë”, ka thënë Kurti.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Guvernatori i rajonit Mudug në Somali dhe tri truprojat e…