Isa Mustafa brenda dy javësh kthehet në Kosovë
Gjendja shëndetësore e ish-kryeministrit dhe liderit të LDK-së, Isa Mustafës, është duke u përmirësuar.
Ai gjatë këtij muaji pritet që të kthehet në Kosovë.
Kështu ka thënë për Express mjeku personal i Mustafës, Halil Krasniqi.
“Mund të ju them se gjendja shëndetësore e zt.Mustafa është shumë e mirë. Jemi shumë të kënaqur me ecurinë e përparimit që po bën. Andaj besojmë se shumë shpejtë ai do të lirohet nga spitali”, ka sqaruar Krasniqi.
Ai ka thënë se brenda këtyre dy javëve Mustafa pritet që të kthehet në Kosovë.
Kreu i LDK-së, Isa Mustafa, ka zgjedhur Gjermaninë që t’i nënshtrohet terapisë pas përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore. Fillimisht vuante nga gripi sezonal, mirëpo për shkak të trajtimit të vonshëm të tij gjendja e tij shëndetësore nuk gjeti përmirësim në Kosovë, anipse qëndroi për më shumë se një javë në një spital privat në vend.