Isa Mustafa: Kurti po i sjell në gisht analfabetët funksional dhe kopjuesit e tij
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka reaguar pasi kryeqeveritari aktual Albin Kurti ka thënë gjatë një konference për media se zgjedhjet e parakohshme “do ta zhduknin opozitën”.
Mustafës, deklarimi e Kurtit për opozitën i korrespondon me mënyrën se si erdhi në pushtet kryeministri aktual.
Thotë se Kurti “nuk po lodhet shumë as për ekonominë, investimet, shkollat dhe spitalet”.
“Në vend të kësaj po i sjell në gisht analfabetët funksional dhe kopjuesit e tij politik me retorikë propaganduese milimetrike”, shkroi ai në Facebook.
“Askush nga ta nuk shtron pyetjen se çfarë po punon Albini e ku po i mban duart, por çfarë thotë Albini, i cili e ka kuptuar mirë logjikën e opinionit. Prandaj para se të ndërrohet Albini, duhet të ndryshojë opinioni”.
Ish-kryetari i Prishtinës ka thënë se sa ishte i pari i kryeqytetit kishte ndërtuar shumë shkolla, terrene sportive dhe qendra mjekësore.
“Si argument të tyre kundër Kurtit e marrin deklaratën, time të para 11 viteve se zgjedhjet në Prishtinë do t’i fitoj me duar në xhepa”.
Por, këto punë sipas Mustafës, “nuk bëheshin me duar në xhepa”, siç mendojnë disa sot.
“Unë besoja në punët që i bënim. Atëherë u bashkuan të gjithë me Kurtin kundër LDK-së; të gjithë këta që sot duan ta rrëzojnë”.
Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka theksuar se zgjedhjet e parakohshme nuk i konvenojnë opozitës e as Qeverisë.
“Opozitës nuk i konvenojnë zgjedhjet se i humbë, e Qeverisë nuk i konvenojnë se zhduket opozita. Unë jam i interesuar me mundë opozitën jo me zhdukë”, tha Kurti.