Isa Mustafa nga Peja u çon selam PDK-së, AAK-së dhe Vetëvendosjes

01 tetor 2019 | 18:24

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka marrë pjesë në tubimin me qytetarë që kandidatja për kryeministre e kësaj partie, Vjosa Osmani, e ka mbajtur në qytetin e Pejës.

Mustafa e ka nisur fjalimin e tij i bindur se LDK-ja do të jetë fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit.

“Vjosa është kandidatja jonë që e ka përkrahjen e plotë të LDK-së. Por, jam i bindur që Vjosa nuk është vetëm kandidate e LDK-së sepse Vjosa është kandidate e Kosovës sepse do të jetë kryeministre e Kosovës”.

“LDK do të fitojë dhe duhet të fitojë në këto zgjedhje sepse nuk ka shpëtim për Kosovën nëse nuk bëhen ndryshime në Kosovë dhe nëse nuk i jepet besimi LDK-së”, ka thënë Mustafa

Mustafa ka thënë se votat që shkojnë për partitë e tjera janë votë e çuar dëm sepse nuk i bëjnë mirë Kosovës, derisa ka shtuar se Kosovën e shpëton vetëm LDK-ja.

Më tutje, Mustafa ka thumbuar partitë e tjera politike. Ai ka treguar se pse PDK-ja duhet të shkojë në opozitë, derisa ka pasur disa këshilla edhe për AAK-në dhe Vetëvendosjen.

“Ne nuk jemi në armiqësi me subjektet e tjera politike, por jemi në miqësi me Kosovën dhe ne ja duam të mirën Kosovës”.

“E mira e Kosovës është që PDK-ja të shkojë në opozitë sepse kjo i bën mirë edhe Kosovës edhe PDK-së sepse kanë nevojë me ardhur në vete, të qëndrojnë në opozitë, të reflektojnë dhe të shohin se ku kanë gabuar gjatë këtyre viteve”.

“Kosovës i bën mirë që edhe AAK-ja ta marrë vesh që nuk është 100 për qind Kosovë nëse nuk do ta kemi 100 për qind përkrahjen e ShBA-ve dhe BE-së. Nuk është 100 për qind Kosovë nëse ne buxhetin e shtetit e përdorim si kuletë private”.

“Do ta marrin vlerësimin dhe votën që ju takon, por jo votën me të cilën duan ta marrin besimin e madh të qytetarëve të Kosovës”.

“Edhe Vetëvendosja duhet ta marrë vesh që nuk e ka vendin afër LDK-së. Ata janë në skenën politike, por janë larg prapa LDK-së dhe vetëm me LDK-në mund të mësojnë se si qeveriset mirë, drejtë dhe si mbahet partneriteti me Amerikën dhe BE-në”, ka thënë Mustafa, duke kërkuar besimin e qytetarëve për partinë që ai udhëheq dhe kandidaten për kryeministre Vjosa Osmani.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Matt Whitaker, njeriu i besueshëm i presidentit amerikan, Donald Trump,…