Isa Mustafa përkujton 20-vjetorin e Betejës së Koshares

09 prill 2019 | 14:24

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa, ka përkujtuar 20-vjetorin e Betejës së Koshares, duke thënë se heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë më 9 prill të vitit 1999, është një prej datave më të rëndësishme në kalendarin e historisë së luftës të Kosovës.

“Beteja e Koshares e zhvilluar 20 vite më parë shënon fitoren më të madhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shënon fillimin e çlirimit të Kosovës. Heqja me luftë e kufirit mes Kosovës dhe Shqipërisë më 9 prill 1999, është një prej datave më të rëndësishme në kalendarin e historisë së luftës të Kosovës. Kjo betejë është ndër betejat më të përgjakshmet dhe më heroiket të UÇK-së, por njëkohësisht fitorja në këtë betejë është një ndër pikat më të shndritshme të luftës tonë për liri”, ka deklaruar Mustafa.

Ai ka thënë se uniteti dhe vendosmëria e ushtarëve tanë dhe shkathtësitë e larta ushtarake bën që këta luftëtarë të triumfojnë në këtë betejë ndaj një armiku të madh dhe të armatosur.

“Po ashtu në këtë ditë vlerësojmë lartë dhe përkujtojmë të rënët në këtë betejë dhe anekënd Kosovës. Vepra e Agim Ramadanit, Sali Çekajt, Abaz Thaçit, Xhemajl Fetahut por edhe vepra e të gjithë heronjve dhe dëshmorëve le të shërbejë si udhërrëfyes i rrugës tonë drejt ndërtimit dhe zhvillimit të shtetit të Kosovës dhe anëtarësimit tonë në integrime euroatlantike. Lavdi heronjve dhe dëshmorëve të Kosovës”, ka theksuar Mustafa.

/Epoka e re/ 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Këngëtari shqiptar nga Maqedonia, Bertan Asllani ka kohë që karrierën…