Isa Mustafa: Ukë Bytyçi, pishtar i demokracisë

27 tetor 2020 | 08:52

 

Sot kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, në 18-vjetorin e vrasjes, ka përkujtuar veprimtarin e LDK-së, ish-kryetarin e Komunës së Suharekës, Ukë Bytyçi.

“Sot bëhen 18 vjet nga vrasja e kryetarit të Komunës së Suharekës, veprimtarit dhe patriotit të pashoq, Ukë Bytyçi.

Uka ishte një personalitet i veçantë, i urtë e modest, punëtor dhe shumë i afërt me të gjithë qytetarët, kjo u dëshmua edhe në fitoret e tij plebishitare. Ai ishte një prej themeluesve të LDK-së, kryetar shumëvjeçar i LDK-së në Suharekë, mik i afërt i Presidentit Rugova dhe pjesë e plejadës së burrave të mëdhenj që dhanë kontribut në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Menjëherë pasi ai shënoi fitore në Suharekë, u qëllua pabesisht nga shkrepjet e disa keqdashësve që nuk ia donin të mirën as LDK-së, Suharekës dhe as Kosovës dhe vrasja e tij ishte mënyra e vetme për ta mposhtur atë në fitoret e vazhdueshme të tij. Vrasja e tij ishte një goditje e rëndë për Kosovën dhe institucionet e saj.

Ukë Bytyçin do ta kujtojmë përherë si pishtar i demokracisë dhe shtetndërtimit të Kosovës.

Edhe pse kanë kaluar 18 vite nga vrasja e pabesë e tij, mbetet dhimbja e madhe jo vetëm për familjen Bytyçi, por edhe për LDK-në dhe gjithë Kosovën, që humbi burrin e madh të Suharekës, liderin e përmasave kombëtare, Ukë Bytyçin.

Lavdi jetës dhe veprës së Ukë Bytyçit!”

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
58 aksidente trafiku janë shënuar nga Policia e Kosovës në…