Isa Qosja rikthehet në Malin e Zi
Regjisori i mirënjohur i Kosovës po përgatit filmin e ardhshëm në vendlindjen e vet në Mal të Zi. Isa Qosja po përgatit filmin “The Stroke”, i cili për herë të parë do ta trajtojë vendin e lindjes së tij në Malin e Zi.
Filmi i fundit i Qosjes, “Tri dritare dhe një varje” (2014), kishte një qarkullim të gjerë në festivale ndërkombëtar ku, gjithashtu, është shpërblyer me çmime të shumta.
Në lidhje me filmin e ri dhe rëndësinë e lokacionit, Qojsa ka deklaruar: “Dua ta shpreh qëndrimin tim për filmin ‘The Stroke’ jo vetëm për faktin se ndryshon nga filmat e mi të mëhershëm ‘Kukumi’, ‘Tri dritare dhe një varje’ etj., por edhe për faktin që pas shumë vitesh kthehem në vendlindje, Gusi, Mal të Zi, për ta realizuar këtë projekt. Inspirimi im nuk është vetëm vendi ku kam lindur, por janë njerëzit, ndodhitë dhe shkretëtira që kanë ata brenda shpirtit”, ka thënë Qosja.