ISA-t e Rrjetit diskutojnë për ndikimin e auditimit në përmirësimin e llogaridhënies financiare të buxhetit të shtetit
Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, zëvendësauditori i përgjithshëm, Bezad Halilaj dhe ndihmësauditori i përgjithshëm Agron Fetiu morën pjesë në konferencën dyditore me temën “Auditimi i llogarisë përfundimtare të buxhetit të shtetit” e organizuar nga Institucioni Shtetëror i Auditimit të Malit të Zi me mbështetjen e SIGMA në Budva të Malit të Zi më 28 dhe 29 shkurt 2024.
Aktiviteti është realizuar në kuadër të Rrjetit të Institucioneve Supreme të Auditimit (ISA) të vendeve kandidate dhe kandidate të mundshme për anëtarësim në BE.
Pjesë e delegacionit të Kosovës ishte edhe u.d. drejtor i Thesarit, Nysret Koca.
Në panelin e diskutimit me temën “Roli këshillues i ISA-ve në reformat e buxhetimit dhe kontabilitetit dhe pozicioni i tyre i pavarur në sektorin publik”, Halilaj prezantoi përvojën e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës lidhur me rolin e ISA-ve në reformat e kontabilitetit publik dhe buxhetit si dhe ushtrimin e rolit këshillues dhe ruajtjen e pozicionit të pavarur.
Ai tregoi se çështjet e ngritura nga ZKA-ja ndër vite lidhur me planifikimin dhe menaxhimin e buxhetit, menaxhimin dhe kontrollin e shpenzimeve, kontabilitetin dhe raportimin financiar e të tjera, janë adresuar nga Qeveria e Kosovës përmes Strategjisë për Menaxhimin e Financave Publike të Republikës së Kosovës 2022-2026.
Ai po ashtu tha se përveç mandatit rekomandues, ZKA-ja ka edhe rol këshillues për të ndihmuar institucionet publike në parandalimin e gabimeve të mundshme.
Kryetari i Senatit të Institucionit Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi, Nikola N. Kovaçeviq, deklaroi se menaxhimi efektiv dhe transparent i financave publike kërkon administrimin e mirë të një sërë sistemesh dhe njëri prej tyre është auditimi i jashtëm, i cili në mënyrë objektive dhe të paanshme kontrollon menaxhimin e shpenzimeve publike.
Ndërsa, zëvendësdrejtoresha e Programit SIGMA, Bianca Breteche, tha se SIGMA e ka mbështetur Rrjetin që nga themelimi i tij dhe se kjo konferencë është mundësi e mirë për të ndarë përvojën dhe njohuritë, si dhe për të parë se çfarë është bërë deri tani dhe çfarë mund të bëhet për të pasur më shumë rezultate.
Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësues të ISA-ve nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Gjeorgjia, Kosova, Republika e Moldavisë, Maqedonia e Veriut, Serbia, Turqia, Ukraina, ekspertë nga ISA të Kroacisë, Sllovenisë, si dhe përfaqësues të Ministrisë së Financave të Malit të Zi, Republikës së Shqipërisë, Bosnje dhe Hercegovinës, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.