
Ischinger: Deklarata e Macronit për parandalimin bërthamor e një rëndësie historike, SHBA të mbahet e informuar
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, të mërkurën ka propozuar i zgjerimin e ombrellës bërthamore të Francës në vendet aleate, duke e konsideruar “çmenduri” shpërfilljen e kërcënimit që tani përbën Rusia për Evropën. Ai ka thënë gjithashtu se është i hapur për bisedime për shtrirjen e ombrellës bërthamore të Francës në vendet aleate të Parisit në kontinent.
Këtë sugjerim të Macronit është duke e konsideruar të një rëndësie historike Wolfgang Ischinger, ish-ambasadori i Gjermanisë në ShBA, i cili ka thënë se vendet e tjera të Evropës duhet ta mirëpresin.
“Deklarata e Macronit për parandalimin bërthamor është e një rëndësie historike. Gjermania dhe partnerët e BE-së duhet të mirëpresin diskutimet me Francën për rrugën përpara”, ka shkruar Ischinger.
Por, ish-kryetari i Konferencës së Mynihut , ka thënë se është me rëndësi që për secilin hap të informohet “plotësisht” ShBA-ja.
“E rëndësishme: mbajeni ShBA-në plotësisht të informuar për çdo hap. Besimi transatlantik ka humbur tashmë më shumë se mjaftueshëm”, ka thënë ai.
Në prag të një takimi emergjent të liderëve të Bashkimit Evropian në Bruksel, për të diskutuar për rritjen e buxhetit ushtarak, Macroni ka thënë në një fjalim televiziv se “ombrella jonë bërthamore na mbron neve: është e plotë, sovrane dhe plotësisht franceze”.
“Megjithatë, duke iu përgjigjur thirrjes historike të kancelarit të ardhshëm gjerman (Friedrich Merz), kam vendosur ta hap debatin strategjik për mbrojtjen e aleatëve tanë në kontinentin evropian përmes ombrellës sonë (bërthamore)”, ka thënë ai.
Natyrisht, këtë deklaratë të Macronit s’e ka mirëpritur Rusia.
Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, ka thënë se komentet e Macronit për zgjerimin e mbrojtjes së arsenalit bërthamor të Francës në vendet e tjera evropiane përbëjnë kërcënim për Rusinë.
Macron i gatshëm t’i nis diskutimet për t’u ofruar aleatëve evropianë mbrojtjen nukleare