Ischingeri kërkon të shmanget çështja e shkëmbimit të territoreve
Ish-ndërmjetësuesi i Bashkimit Evropian (BE) në negociatat në mes të Kosovës dhe Serbisë, Wolfgang Ischinger, ka kërkuar që të shmanget çështja e shkëmbimit të territoreve.
“Si ish-negociator i BE-së për marrëdhëniet Kosovë-Serbi, konsideroj se hapja e kutisë së pandorës për shkëmbimin e territoreve duhet të shmanget”, ka shkruar Ischinger në llogarinë e vet në “Twitter”.
Në këtë postim të Ischingerit ka komentuar edhe eurodeputetja Doris Pack dhe deputeti i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Genc Pollo.
Në komentin e saj, Pack ka shkruar se të gjithë ata që kujdesen për Ballkanin duhet t’i mbajnë sytë hapur dhe ta ndalojnë në gjë të tillë.
“Siç e thashë edhe javën e kaluar, të gjithë ata që kujdesen për Ballkanin duhet t’i mbajnë sytë në dy vendet negociuese dhe ta parandalojnë këtë në kohë. Të dyja vendet kanë interes tjetër për të shkuar në këtë zgjedhje”, ka shkruar Pack.
Në anën tjetër, deputeti Genc Pollo, ka shkruar se nuk ka nevojë për probleme shtesë.
“E drejtë! Nuk ka nevojë për probleme shtesë përmes zgjidhjeve të rrejshme”, ka shkruar Pollo.