Ish-ambasadorët diskutojnë për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë: 25 vjet nga fundi i vuajtjeve!
Ish-ambasadorët e Kosovës kanë diskutuar të premten për ndërhyrjen e NATO-s në vendin tonë.
Në konferencën e Këshillit të Ambasadorëve të Kosovës është thënë se 25 vjet më parë, NATO-ja i ka thënë fund vuajtjeve të njerëzve në Kosovë dhe që nga atëherë ka pasur rritje e mbështetjes për të ndërtuar një shoqëri të re në Kosovë.
Në këtë konferencë që përshkruan rrugën e Kosovës “25 vjet pas operacionit të Forcave Aleate dhe kërkimit për anëtarësim në NATO” kanë marrë pjesë ish-diplomatë të cilët e kanë përfaqësuar Kosovën në vende të ndryshme të botës si dhe zyrtarë të rëndësishëm ndërkombëtarë gjatë kohës së luftës në Kosovë, ndërsa është vlerësuar rrugëtimi i Kosovës që nga ndërhyrja e NATO-s më 24 mars 1999, siguria dhe demokracia si marrëdhëniet Kosovë – NATO.
Profesori David Philipps, i cili ishte pjesë e ekipit të diplomatit amerikan Richard Holbrooke gjatë luftës së fundit në Kosovë, ka thënë se ka komunikuar me Holbrooke dhe shqiptarët në Amerikë në kohën kur po përgatitej ndërhyrja e NATO-s në Kosovë.
“Negociatat në Beograd kishin dështuar dhe Holbrooke do të largohej nga Beogradi dhe ai më kërkoi mua që të thirrja gjithë shokët shqiptaro-amerikanë, ngase për Holbrooke isha personi kyç për ta bërë këtë dhe t’u tregoja që bombardimet e NATO-s fillojnë të nesërmen. Por, nuk mund ta shpjegoj ndjesinë që pata nga ky lajm”, ka thënë Philipps.
Ndërsa ish-ambasadori i Kosovës në ShBA si dhe në Turqi, Avni Spahiu, ka thënë se janë bërë 25 vjet nga ndërhyrja e madhe e NATO-s në mbështetje të vuajtjeve të njerëzve në Kosovë dhe që nga atëherë ka pasur rritje e mbështetjes për të ndërtuar një shoqëri të re në Kosovë.
“Progresi i Kosovës që është bërë në kapacitetin e shtet-ndërtimit përfshinë gjithashtu edhe përparimin e çështjeve të sigurisë për Kosovën dhe rajonin”, ka thënë Spahiu, raporton “EO”.
Ai ka thënë se Kosova është ballafaquar më shumë sfida që nga koha e ndërhyrjes së NATO-s, derisa ka shtuar se synimi i Kosovës mbetet anëtarësimi sa më shpejtë i mundshëm në NATO.
Në anën tjetër, ish-përfaqësuesi i Kosovës në Zyrën Ndërlidhëse në Beograd, Lulzim Peci, duke folur për kontekstin historik që ka çuar në ndërhyrjen e NATO-s në Serbi për shkak të Kosovës, ka theksuar shpërbërjen e Jugosllavisë, krimet e luftës dhe gjenocidin në Bosnjë e Hercegovinë, konsideratën gjeopolitike dhe presionin, krimet dhe tentativat për gjenocid të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Peci ka kujtuar se shqiptarët e Kosovës, të udhëhequr nga Ibrahim Rugova, kanë luftuar në mënyrë paqësore për disa vjet kundër regjimit të Sllobodan Millosheviqit, ndërsa kjo ishte në kohën kur i gjithë rajoni ishte në luftë.
Më tuje, ambasadori Peci ka thënë se më vonë është formuar Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), e cila në mars të vitit 1998 ishte simbolike me rreth 200 burra të armatosur, por pas vrasjes së komandantit të UÇK-së Adem Jashari dhe anëtarëve të familjes së tij dhe bashkëluftëtarëve të tij, numri ishte rritur në më shumë se 15 mijë luftëtarë, duke vendosur kontroll mbi disa zona rurale.
Më 24 mars bëhen 25 vjet që kur NATO-ja ka nisur bombardimet e që kanë rezultuar me çlirimin e Kosovës. 25 vjet më parë, NATO-ja kishte filluar operacionin “Forcat Aleate” për t’i dhënë fund krizës humanitare në Kosovë, pasi ishin shteruar të gjitha rrugët diplomatike për t’i dhënë fund fushatës brutale të spastrimit etnik të regjimit të Millosheviqit.