Ish-ambasadori amerikan në Beograd: ShBA-ja vazhdon të punojë për Kosovën
Ish-ambasadori amerikan në Beograd, Cameron Munter, ka thënë se fakti që Serbia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës e pengon atë që ta marrë vendin e saj në Bashkimin Evropian (BE) dhe ta ndërtojë një të ardhme paqësore dhe prosperuese për qytetarët e saj.
Munteri ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) i kanë inkurajuar vendet e tjera që nuk e kanë njohur Kosovën ta bëjnë këtë që nga viti 2008, duke shtuar se ShBA-ja po përpiqet të punojnë ngushtë me aleatët e saj për Kosovën.
Duke iu përgjigjur pyetjes së agjencisë serbe të lajmeve, “Tanjug” nëse dhe ShBA-ja po u bën presion vendeve, veçanërisht atyre anëtare të BE-së për ta njohur Kosovën, Munteri ka thënë: “Supozoj se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë ta bëjnë këtë, veçanërisht në marrëveshje me shumicën e vendeve të BE-së që gjithashtu e njohin Kosovën”.
I pyetur nëse pret që një i dërguar i ri amerikan të emërohet së shpejti për dialogun Kosovë-Serbi dhe nëse kjo do të thotë që ShBA-ja të përfshihet më shumë në këtë proces, Munteri ka thënë se i dërguari i mundshëm do të përqendrohet më shumë në propozimet konkrete për reformat në Ballkan.
“Unë do të përqendrohesha më shumë në propozimet konkrete të reformës në Ballkan, zgjidhjen e çështjeve të ndezura të qeverisjes dhe zhvillimit ekonomik, sesa në nismat institucionale”, ka thënë Munter, i cili drejton Institutin EastWest (EWI) në Nju Jork.
Duke komentuar pikat e mbetura për t’u zbatuar nga Marrëveshja e Uashingtonit e nënshkruar në shtator të vitit 2020 dhe se sa detyruese është ajo për administratën e Joe Biden, Munteri ka thënë beson se marrëveshja është planifikuar dhe ekzekutuar dobët që nga fillimi.
“Kjo ndodhi kryesisht për qëllime politike të brendshme amerikane – duke mos pasur parasysh synimet serioze të politikës së jashtme”, ka thënë ai.
Munteri ka shërbyer si ambasador i Shteteve të Bashkuara në Pakistan nga viti 2010 deri në vitin 2012, gjatë kohës së sulmit në të cilin është vrarë Osama bin Ladin. Ai ishte ambasadori i ShBA-së në Serbi nga viti 2007 deri në vitin 2009, kur Kosova është bërë e pavarur.