Ish-ambasadori Bosch pret që ish-krerët e UÇK-së të lirohen nga akuzat e Speciales
Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch pret që ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, të cilët po akuzohen për krime të pretenduara të luftës nga Dhomat e Specializuara, të shpallen të pafajshëm.
Diplomati holandez mendon se edhe veprimi i Shqipërisë për të pasur një rezolutë tjetër për të mbivendosur atë të senatorit Dick Marty në Këshillin e Evropës, që shërbeu si bazë për themelimin e Dhomave të Specializuara është i duhuri.
Në një intervistë për KosovaPress, Bosch ngre pikëpyetje nëse do të duhej të ekzistonte Specialja pasi u konfirmua se nuk qëndrojnë akuzat për trafikim organesh mbi të cilat ishte ngritur kjo gjykatë.
“Unë pres që të gjithë të lirohen, natyrisht. Por dua të them pak më shumë se kaq, sepse mendoj se i gjithë gjykimi, e dini, u habita që një prokuror tha se nuk është një gjyq kundër UÇK-së por është kundër individëve. Deri më tani ata kishin thënë gjatë gjithë kohës se UÇK-ja ishte organizatë kriminale. Se kinse ata janë drejtuesit e kësaj organizate kriminale, ata janë përgjegjës për gjithçka që kanë bërë”.
Tani, prokurori tha pak më ndryshe, tani tha se nuk është kundër UÇK-së, por është kundër individëve. Gjithsesi, problemi me gjithë këtë gjë është se ajo ishte e bazuar në raportin e Martyt, të Këshillit të Evropës, e raporti i Martyt i Këshillit të Evropës bëri akuza të tmerrshme, veçanërisht ndaj Thaçit, dhe veçanërisht në kuadër të trafikimit të organeve. Pas krijimit të gjykatës në vitin 2015, z. Williamson hetoi pretendimet dhe rezultoi se trafiku i organeve nuk ishte i vërtetë, nuk kishte ndodhur, pra ishte gjë e rreme. Në atë moment, mendoj se ata duhet të kishin thënë, në rregull, tani ka mbaruar, sepse kjo është arsyeja pse ne e bëmë këtë gjykatë në radhë të parë, bazuar në këto akuza të tmerrshme, kur akuzat e tmerrshme nuk janë më aty, përse të vazhdojmë të kemi një gjykatë ndërkombëtare”, thotë Bosch.
Bosch mendon se edhe veprimet e shtetit të Kosovës duhej të ishin ndryshe pas publikimit të raportit të senatorit Marty.
Sipas tij, Dhomat e Specializuara të Kosovës duhet të hetojnë të gjitha rastet, përfshirë edhe ato vrasje, masakra, përdhunime, rastet e personave të pagjetur e dëmtime pronash nga ana e serbëve.