Ish-ambasadori Dedaj kërkon hetim për Osmanin dhe Gërvallen. Kjo është arsyeja
Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, i është drejtuar me një letër të hapur Kryeprokurorit dhe Agjencionit Kundër Korrupsionit që të hetohen presidentja Vjosa Osmani dhe ministrja e Jashtme, Donika Gërvalla.
Ai në llogarinë e vet në “Facebook” ka shkruar se Osmani dhe Gërvalla kanë bërë shkelje ligjore ndaj tij duke e shkarkuar nga pozita e ambasadorit.
“Duke pasur parasysh shkeljet ligjore, hakmarrjet dhe diskreditimin ndaj meje dhe karrierës sime, për inate dhe linçime primitive ndaj rivalëve politikë, në koordinim dhe bashkëveprim, duke keqpërdorur pushtetin, kontrollin nepotist e klanor në MPJD, me kanë shkarkuar kundërligjshëm dhe brutalisht nga pozita e Ambasadorit të RKS në Maqedonine e Veriut, pa asnjë vërejtje apo paralajmërim! Arroganca e veprimeve joligjore dhe arbitrare e Osmanit dhe Gërvalles, të cilat kundërligjeshëm janë duke kontrolluar MPJD, sikur të ishte kompani e tyre private e falimentuar, i kanë bërë dëme të pariparueshme diplomacisë dhe politikës së jashtme të Republikës së Kosovës, për interesa të tyre personale, familjare, partiake dhe klanore”, ka shkruar Dedaj.