Ish-ambasadori Dedaj: Osmani, Kurti dhe Gërvalla dëmtuan diplomacinë e Kosovës
Ish-ambasadori i Kosovës në Shkup, Gjegj Dedaj, ka thënë se diplomacia jonë kurrë nuk ka qenë më e dobët.
Dedaj për dështimet në diplomaci përgjegjës i ka bërë Donika Gërvallën, Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin.
Duke iu referuar mungesës së njohjeve të reja, ai ka thënë se diplomacia nuk mund të drejtohet me familjarë dhe militantë partiakë.
Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Dedaj ka thënë se Gërvalla e ka shndërruar MPJD-në në degë të Listës Guxo.
Sa i përket dialogut me Serbinë, Dedaj ka thënë se ky proces është jotransparent. Ai ka thënë se Kurti do ta pranojë “Zajedincën” të cilën e kishte kundërshtuar sa ishte në opozitë me të gjitha mjetet.
“Epoka e re”: Z. Dedaj, çfarë vlerësimi keni për punën e diplomacisë së Kosovës këto gati dy vjet të qeverisë Kurti?
Dedaj: Diplomacia e Kosovës është një ndër dikasteret më të dështuar të këtij pushteti. Madje më aktive ka qenë para lufte e mos të flasim në dy dekadat pas luftës. Ardhja e zonjës Schwarz në krye të diplomacisë ishte një diskreditim dhe denigrim i politikës së jashtme të Kosovës. Për këto dy vjet nuk kemi asnjë njohje dhe asnjë sukses, pos sfilatave dhe bredhjeve nëpër botë. Të mos flasim për dëmtimin e partneritetit me miqtë tanë strategjikë euroatlantikë dhe devalvimin e imazhit të Kosovës në botë.
“Epoka e re”: Këto dy vjet nuk kemi asnjë njohje të Kosovës. Sipas jush, ku qëndron problemi?
Dedaj: Njohje as nuk kishim dhe se vështirë do të kemi derisa në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës qëndron një ministre e nivelit kaq të ulët përfaqësues dhe diplomatik. Lutemi që të mos këtë çnjohje, se sa për njohje jemi shumë larg tyre. MPJD-në e ka shndërruar në një zyrë private, degë të Listës Guxo dhe ka rrënuar politikën e jashtme.
“Epoka e re”: A janë përgjegjës Vjosa Osmani, Albin Kurti dhe Donika Gërvalla për pozicionin e Kosovës në arenën ndërkombëtare?
Dedaj: Padyshim se fajin kryesor e bartin Vjosa Osmani dhe Albin Kurti të cilët e kanë dëmtuar skajshëm politikën e jashtme dhe vetë të ardhmen e Kosovës si asnjëherë më parë që nga lufta e fundit. Nuk bëhet diplomacia me familjarë, teze, halla e militantë infantilë politikë. Dikur kur vizitonim qendrat ndërkombëtare të vendimmarrjes e ngrehnim kokën lart, tani turpërohemi me nivelin e politikës së jashtme dhe imazhin e denigruar të Republikës së Kosovës në botë.
“Epoka e re”: Si i keni parë raportimet në medie për dyshimet e përfshirjes së ambasadorit Berishaj në afera milionëshe?
Dedaj: Pa dashur të spekuloj as ta prejudikoj fajësinë apo pafajësinë e raportimeve për ambasadorin Martin Berishaj, sepse për këtë janë organet e drejtësisë, por raportimet e medieve të Kosovës, rajonit dhe më gjerë, po shkruajnë për një mal akuzash. Do të ishte e mjaftuar që Berishaj të kthehet derisa të vërtetohet pafajësia e tij eventuale. Vjosa, Albini dhe Donika kanë shkarkuar për një ditë 12 ambasadorë, pra në maj të vitit 2021, në kulmin e pandemisë. Ky ishte krim brutal dhe veprim joligjor, pa qenë asnjëri nga ata i përfolur dhe pa pasur asnjë vërejtje për punën e tyre. Pas shkarkimit tim skandaloz nga pozita e ambasadorit në Shkup, unë kam folur dhe reaguar kundër këtij shkarkimi. Më 26 maj më ka ardhur vendimi nga Schwarz që më 27 maj ta liroj ambasadën (1 ditë afat) që kjo nuk ndodh as në Korenë e Veriut, as në vendet që udhëheqin nga juntat ushtarake dhe diktaturat. E Schwarz tash për Berishajn po thotë se nuk shkarkohet ambasadori për një fjalë… Kjo dëshmon se sa shumë gënjen Schwarz dhe ky pushtet, të cilët, më në fund, do të duhej të turpëroheshin për dështimet dhe gënjeshtrat e shumta.
“Epoka e re”: Sipas jush, pse nuk po shkarkohet ambasadori Berishaj?
Dedaj: Merrni me mend, po të më ndodhte kjo aferë e përfolur mua sa isha në Shkup, çfarë kishte ndodhur! E kanë një zor Vjosa, Albini e Schëarzi që nuk e shkarkojnë, mbase as nuk mund ta shkarkojnë nëse drejtësia i vërteton akuzat të cilat po përfliten, atëherë Berishaj nuk duhet të shkarkohet vetëm, por së bashku me Vjosën, Albinin dhe Schwarzin.
“Epoka e re”: Z. Dedaj, bashkësia ndërkombëtare tashmë ka propozuar planin franko-gjerman për arritjen e marrëveshjes Kosovë – Serbi? Cili është qëndrimi juaj për këtë plan?
Dedaj: Pakkush në Kosovë e ka parë këtë planin franko-gjerman dhe nuk mund ta komentojmë korrekt dhe saktë. Është shumë jotransparent dhe misterioz i gjithë ky proces i negociatave. Duke e parë që Albin Kurti nuk e ka mbajtur asnjë fjalë dhe premtim të dhënë, ai do të pranojë edhe Zajdenicën dhe çdo gjë që i kërkohet për ta ruajtur pushtetin. Një njeri që është në gjendje ta djegë Kosovën për pushtet, ai e rrezikon Kosovën për ambiciet e tij të sëmura egocentrike dhe mentaliteti i ekstremit të majtë dhe radikal, pra është i paparashikueshëm.
“Epoka e re”: Brenda këtij plani thuhet se është edhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. A do ta pranojë kryeministri Kurti ta implementojë “Zajendinicën” të cilën sa ishte në opozitë e kishte kundërshtuar me të gjitha mjetet?
Dedaj: Kurti çdo gjë që ka kundërshtuar e ka pranuar dhe çdo gjë që ka pranuar e kundërshton. Ky njeri ka simptoma të një minidiktatori dhe ekstremisti të rrezikshëm, i cili duhet të mënjanohet sa më parë nga pushteti. Nga Rambuje e deri më sot, krejt çfarë ka thënë, e ka thënë dhe e ka bërë të kundërtën për Republikën e Kosovës.
(Lirim GECI)