Ish-ambasadori Shaqir Vukaj për Gjykatën Speciale: Rusia fshihet pas gjithçkaje

20 nëntor 2020 | 14:35

Shaqir Vukaj, ish-ambasador i Shqipërisë në Rusi, ka folur rreth luftës në Kosovë, të pagjeturve, akuzave ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së dhe raportit të Dik Martit.

“Me daljen në skenë të UÇK-së menjëherë institucionet zyrtare ruse filluan sulmet ndaj UÇK-së, ku u aktivizuan ushtarakë, politikanë, analistë, historianë dhe kryesorja institucione zyrtare si Ministria e Jashtme dhe qeveria”, ka thënë Vukaj në një intervistë për “Euronews Albania”.

Ai ka treguar se sulmet gjatë gjithë asaj kohe kanë qenë të jashtëzakonshme.

“Terroriste, kriminele dhe trafikante”, kështu cilësohej Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ka treguar ish-ambasadori Vukaj.

I pyetur në lidhje me ngjashmërinë ndërmjet akuzave të atëhershme dhe akuzave aktuale, Vukaj ka thënë se nuk gjen ndonjë ndryshim të madh, përveç dokumenteve pak më të sistemuara dhe gjuhës juridike të përdorur.

Më tutje, ai ka thënë se historia e Dik Martit me Rusinë është e vjetër.

“Historia me Dik Martin në Rusi është e vjetër. Fillon me Karla Del Ponten që në vitin ’99, pra sapo kishte mbaruar lufta në Kosovë. Një delegacion shkoi dhe takoi Del Ponten dhe ajo e la natën e Krishtlindjeve dhe u mor me një raport të jashtëzakonshëm që kishte përgatitur Duma për krimet e UÇK-së në Kosovë. Më vonë siç e ka deklaruar dhe vetë Dik Marti, Rusia ishte iniciatorë e këtij problemi, pra e materialeve të raportit të Dik Martit”, është shprehur Shaqir Vukaj.

Sipas tij, prania e Rusisë është kudo jo vetëm si hartuese e materialeve, por edhe si nxitëse.

Në këtë kontekst, ai fillimisht i është referuar materialeve të ditëve të fundit dhe qëndrimeve zyrtare të Dumës shtetërore nëpërmjet një deputeteje, anëtare e Komitetit të Jashtëm, e cila i ka cilësuar krimet e Thaçit si të llahtarshme, krime për të cilat ata ishin në dijeni tashmë prej 20 vitesh.

“Ato krime e mbajtën Thaçin deri tani, sepse ju duhej për të frikësuar serbët dhe për t’i bërë presion Beogradit”, ka thënë Vukaj, duke u bazuar në deklaratën e Dumës ruse.

Ndërkohë që reagimet e përfaqësues zyrtare të Ministrisë së Jashtme, siç ka treguar ish-ambasadori i Shqipërisë në Rusi, kanë qenë përsëri negative, duke theksuar se bota po i sheh krimet e të “ashtuquajturit shtetit të Kosovës”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka pritur në një takim ministrin…