Ish-anëtarja e Këshillit Drejtues e Bibliotekës Kombëtare: Gjendja në bibliotekë është e mjerë

08 mars 2023 | 14:00

Ish-anëtarja e Këshillit Drejtues e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, Ardiana Shala, e emëruar anëtare e këtij Këshilli nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në muajin maj të vitit 2022, më 28 shkurt 2023 ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga Këshilli Drejtues i Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, me arsyetimin se “nuk mujta me i kapërcy dallimet e mëdhaja kulturore e intelektuale e ideologjike mes meje dhe disave prej anëtarëve të këtij këshilli drejtues, saktësisht anëtarëve ‘veteranë’ të këshillit drejtues, që po get ishin mësu jo veç me kenë aty, por me kenë aty në udhëheqësi, direkt ose mbrapa shpine, pa asnji vizion për zhvillimin e bibliotekës e me shum energji me pengu çdo frymë të re ndryshimi (edhe me qëllim, e edhe pa qëllim thjeshtë prej injorancës)”.

Shala në llogarinë personale në “Facebook” ka dhënë arsyetimin pse ka dhënë dorëheqje nga të qenit anëtare e Këshillit Drejtues. Sipas saj, “gjendja në bibliotekën kombëtare të Kosovës asht e mjerë”.

Gazeta “Epoka e re” muaj më parë ka raportuar për disa parregullsi në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës dhe për pakënaqësitë e punëtorëve të saj. Po ashtu, redaksia e gazetës “Epoka e re”, pas dorëheqjes së Ardiana Shalës nga Këshilli Drejtues, ka kontaktuar edhe me kryetarin e Shoqatës Sindikale të Punonjësve të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Ramush Zeka, për të marrë një mendim të tij lidhur me pakënaqësitë që ka shprehur publikisht ish-anëtarja e Këshillit Drejtues, Ardiana Shala. Zeka ka thënë se nuk ka çfarë t’i heqë asgjë reagimit të saj, përpos që t’i shtojë. “Të gjitha ato pakënaqësi që ka shprehur zonjusha Shala në letrën e dorëheqjes janë me vend dhe të sakta. Nuk kam çfarë t’i heq asgjë opinionit të saj, përpos të shtoj. Për këtë gjendje të Bibliotekës Kombëtare, përpos që me shkresa e kemi informuar muaj më parë Këshillin Drejtues të Bibliotekës Kombëtare, e kemi informuar edhe ministrin e Kulturës, z. Hajrulla Çeku, por asnjë veprim, në të mirë të gjendjes së bibliotekës, nuk është marrë as nga ministri Çeku, as nga Këshilli Drejtues. Padyshim që në komunikimet që kemi pasur me anëtarët e Këshillit Drejtues, më e zëshmja, më e përgjegjshmja, më bashkëpunëtorja me ne ka qenë Ardiana Shala. Po të ishte ajo ende anëtare, mbase do të përmirësohej gjendja në bibliotekë, sepse e ka kuptuar më mirë se cilido tjetër rolin dhe funksionin e Bibliotekës Kombëtare. Tash që ajo ka dhënë dorëheqje dhe ka numëruar dhjetëra të meta në bibliotekë, po presim të reflektojë ministri Çeku. Pakënaqësinë e saj, as tonën s’i sindikatë, nuk duhet ta heshtë ministria, ministri Çeku. Nëse ata heshtin, mediet duhet të shkruajnë e të flasin vazhdimisht për gjendjen e rëndë të Bibliotekës Kombëtare. Ju lutem, lexojeni reagimin e plotë të zonjushës Shala po qe se dëshironi të dini për gjendjen e bibliotekës. Asaj aferim i qoftë për guximin që ka shprehur që, çështjet që ka ngritur në Këshill, me ministrin e Kulturës dhe me punonjës të Bibliotekës Kombëtare, i ka shprehur edhe publikisht për opinionin e gjerë. Meqë zonjushën Shala ministri Çeku e ka zgjedhur për anëtare të Këshillit Drejtues, tash duhet të lëvizë ministri. Askush më mirë sesa ajo nuk i ka raportuar ministrit Çeku. Askush më saktë se ajo nuk e ka thënë të vërtetën për Bibliotekën Kombëtare”, ka thënë Ramush Zeka.

Se si është gjendja sot në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, më poshtë mund ta lexoni reagimin e plotë të Ardiana Shalës, publikuar pa asnjë ndërhyrje nga gazeta “Epoka e re”.

 

NJOFTIM PUBLIK

(i shkurtë, besomni)

Në fund të majit në 2022 jam emnu anëtare e këshillit drejtues të bibliotekës kombëtare të Kosovës.

Nji detyrë që e pata pranu me idenë që e kam njifarë obligimi moral edhe që kam mjaft dije e përvojë, dhe vullnet, (edhepse më mungojke koha, e gjetta dhe e bana) me ndihmu në ndërtimin e zhvillimin, për mos me thanë në ringjalljen e bibliotekës kombëtare të Kosovës.

Me 28 shkurt 2023, mas shum netëve pa gjum e ndërgjegjjes së vrame që u pagujsha prej pareve të ktij populli për me shku aty e mos me u leju (bile bile edhe me u pengu) me nisë me mendu për qysh-asht e mundshëm, se le ma me ba ndryshime thelbësore, masi që e tejkalova iluzionin që ja vlenë me provu, e me e provu, hajt edhe naj ditë, hajt edhe naj ditë, dhash dorëheqje (me 9 faqe arsyetime adresu tek ministri Çeku) nga kjo detyrë.

Arsyet për dorëheqjen teme nga këshilli drejtues i bibliotekës kombëtare të Kosovës janë të shumta por munden me u përmbledhë në nji të përbashkët të madhe që ka të baj me natyrën ideologjike e kulturore të punës, të komunikimit e të të menduemit kritik. Nuk mujta me i kapërcy dallimet e mëdhaja kulturore e intelektuale e ideologjike mes meje dhe disave prej anëtarëve të këtij këshilli drejtues, saktësisht anëtarëve ‘veteranë’ të këshillit drejtues, që po get ishin mësu jo veç me kenë aty, por me kenë aty në udhëheqësi, direkt ose mbrapa shpine, pa asnji vizion për zhvillimin e bibliotekës e me shum energji me pengu çdo frymë të re ndryshimi (edhe me qëllim, e edhe pa qëllim thjeshtë prej injorancës). Për ma zi, i kishin krahët e fortë. Aty ku un dështova me ndryshu najsen pse s’mujta, ministri, sipas meje, dështoi me e dashtë përnime ndryshimin që më pat thanë se e don.

Kur po e mendoj tash, veç me e pasë pa ju qysh u zgjodh kryesuesi; se qysh e pse s’kam dhanë dorëheqje menjiherë atë ditë (po get isha e dehun tu andrru), duheni me më falë, sepse fundit i fundit më keni dhanë njifarë pagese muej më muej plus/minus 400 euro gjithë kta muej, për të cilat s’kam kurrgjo me ju raportu që me thanë; por nejse nuk asht që kam marrë rrogë 5560 euro në muej si naj konsulente e naltë a najsen; po du me thonë që hajt mos u kani fort se ka edhe ma keq.

Me e thanë pak ma shkurt: kam dhanë dorëheqje, në thelb, ma së pari për arsye parimore. Dhe këtu qe ku e keni nji ngushëllim të vogël, që nashta kjo në vete asht njifarë ndryshimi?! Dorëheqje për me mbrojtë parime. Sepse, un besoj që pa mbjell parime ndryshe e të hajrit s’mundet me pasë korrje të ndryshimeve pozitive në kit vend.

Besoj, në fakt e di që ky këshill drejtues me anëtarë të vjetër në te nuk mundet me pru ndryshime e zhvillime të reja, shum të nevojshme në bibliotekën kombëtare të Kosovës, sepse praktikat e kqija janë ba ligje aty, se kultura kritike, e as vizioni politik për ndryshime të nevojshme s’ekziston për bibliotekën kombëtare të Kosovës.

Mundem me e thanë që gjendja në bibliotekën kombëtare të Kosovës asht e mjerë. Aq e mjerë sa e dhimbshme deri në palcë. Ajo bibliotekë ma së pakti asht bibliotekë. Momentalisht funksionin kryesor e ka në ofrimin e hapësinës për ahengje të ndryshme kulturore (veç edhe dasmet kanë mbetë me u organizu aty). Apo ndoshta edhe ajo ka ndodh. Nuk e di, pse a kah me e ditë?

Ndër disa raste të ndryshme, secila me njollat e vetta, hipokrizia kulmnore po get që ishte dekorimi i bibliotekës kombëtare me medalje presidenciale për merita mu qaty përskej dekorimit për familjen Jashari (s’kam fjalë me e përshkru çfarë nënçmimi nënkupton kjo për familjen Jashari), e që u pranu nga këshilli drejtues, e pa e informu këshillin drejtues (se thjeshtë bre ka shku kryesuesi pa kallxu e pa e pvetë kend, e kryesuesi mendon që s’i ka borgj kurrkujt sqarime, po get). Pra biblioteka (qekjo e mjera me dy guj’ për toke) dekorohet ba ti be thu se e meriton. Ama nuk e meriton as afër. Kjo asht nji prej atyne rasteve palidhje, por jo edhe aq kur e vnon në kontekst të gjendjes së bibliotekës, që sikur të kisha qenë un në këshill drejtues të bibliotekës kombëtare të Kosovës nuk e kisha leju me ndodhë kurrë kit dekorim. Presidenca medalje le të shkepë sa të doj, s’mujë me e ndalë, ama, biblioteka me pranu s’kish guxu kurrë. Uh, pardon, prit, prit, se un pasna kenë more në këshill kur ka ndodhë kjo hipokrizi kolosale, por a më besoni që s’di sen (edhe plot sene tjera kishte tendenca të vazhdueshme me më pengu me i ditë; e plot të tjera nuk i di se as biblioteka vet s’i din, qekaq di).

Përkundër dëshirës së madhe, un s’isha aty për me ditë najçka, çka bahet, kur bahet, pse bahet, ku bahet, qysh bahet, e qysh s’bahet?! E marrim vesh nëpër media barabartë me juve masi që të bahet, sa i përket atyne të bamave për konsum medial. Të tjerat mbesin në hije,nën pluhunin e trashë. Pse, çka menduet ju, me u lodhë kryesuesi i këshillit drejtues të bibliotekës kombëtare të Kosovës, para se me pranu nji dekorim të tillë për bibliotekën në emën të këshillit drejtues, me i informue anëtarët e këshillit që po dojka dikush me e dekoru nji institucion që gjindet në buzë të greminës për shkak të keqmenaxhimit, neglizhimit politik dhe ndërhyrjeve partiake (për me e thanë ma të paktën) tash e dy dekada, a? Po a? E me e hup tani shansën me e e ba nji foto me presidentën e me i dalë emni në faqe të bibliotekës si “akad” a?

Nejse, po i bi shkurt. Bibliotekë e dashtun kombëtare e Kosovës qe nji këshillë të fundit kështu si lamtumirë nga pragu: “akad” nuk asht titull. Pra me konë anëtarë i nji akademie NUK asht titull. Nuk vnohet para emnit “akad.” o njerëz të kompleksuem e të palexuem deri në asht që i ngreni zhag kto komplekse kah të shkoni dhe e merrni në qafë nji popull të tanë tue u ngjitë për karriga.

Pra, sa i përket bibliotekës kombëtare, çfarë jena qasi e kena. E pra, çfarë jena? Asht koha me e përgjegjj secili për vete kit pytje e me këqyr mos pahiri e meritojna ma të mirë?!

E sa më përket mu, kur të vjen dita që përnime ka vend e bahet vend për ndryshime në kit vend, knej pari jam, tu andrru. Vi pa hatër. Por s’vi veç sa për me ardhë. Kështu që, ju lutem, mendohuni mirë e mirë a me më thirrë. Që mos t’i humbim kohë kot njanji tjetrit.

Sinqerisht,

Ardiana Shala

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dy ikonat e Real Madrid, Toni Kroos dhe Luka Modriq…