Ish-bashkëpunëtori i LV-së: Betejën me UÇK-në e keni të humbur

13 qershor 2022 | 15:18

Kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, duke mos e përmendur UÇK-në nuk e ofendon vetëm këtë organizatë, por edhe veten. Kështu ka vlerësuar analistit politik, Jusuf Thaçi.

Thaçi, që ka qenë zëvendësministër në Qeverinë Kurti I, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”,  e ka kritikuar ministren e jashtme për “mohimin” e UÇK-së.

“Kur ministrja e Punëve të Jashtme e Republikës së Kosovës uron Ditën e Çlirimit të Kosovës duke mos e përmendur fare UÇK-në, përkatësisht duke e mohuar UÇK-në, ajo nuk e ofendon UÇK-në, por e ofendon veten dhe gjithë atë që ajo përfaqëson si qytetare e si zyrtare shtetërore, përfshirë edhe Qeverinë e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Thaçi.

Po ashtu, Thaçi ka shkruar një mori vlerësimesh për UÇK-në, duke e cilësuar si shkaktarja dhe meritorja kryesore për lirinë e Kosovës.

“Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) është ndër momentet më të shndritshme të gjithë historisë shqiptare, duke e rikthyer pas dekadash dinjitetin e humbur e të nëpërkëmbur të shqiptarëve të Kosovës”, ka shkruar Thaçi.

Më tutje, ai ka thënë se ata që e urrejnë, relativizojnë dhe  mohojnë UÇK-në, e kanë të humbur këtë betejë.

“Sidoqoftë, një gjë duhet ta dinë mirë të gjithë ata që e relativizojnë, e mohojnë, nuk e duan apo e urrejnë UÇK-në: betejën me UÇK-në e keni të humbur”, ka deklaruar ai. “Ju jeni veç ca vdekatarë të përkohshëm, statistika të pavlera njerëzimit, vizitorë të pagjurmë të kësaj bote. Ndërsa liria, dinjiteti e qytetërimi janë vlera e ideale njerëzore të përjetshme e të paçmueshme, do të rrojnë sa të ekzistojë njerëzimi. UÇK-ja është mishërim e simbol i këtyre vlerave e idealeve”, ka shkruar Thaçi.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Për nder të Ditës së Çlirimit, në fshatin Opterushë të…