Ish-deputeti boshnjak dënohet me tre vjet burgim për korrupsion
Një gjykatë në Sarajevë ka dënuar Amir Zukiqin, ish-zyrtar i lartë i partisë në pushtet, me tre vjet burgim për korrupsion.
Zukiq, ish-deputet i shtetit dhe sekretar i përgjithshëm i Partisë për Veprim Demokratik (SDA), parti e cila është aktualisht në pushtet, u shpall fajtor për ryshfet dhe përdorim të lidhjeve politike për t’u dhënë punë disa njerëzve në institucionet shtetërore në vitin 2016.
Departamenti amerikan i Shtetit në vitin 2020 ia ndaloi Zukiqit hyrjen në Shtetet e Bashkuara për, siç thuhet, përfshirje në korrupsion të rëndë.
Departamenti i Thesarit i ShBA-së më i shpejtë se gjyqësori i Bosnjës
Gjykata e Sarajevës dënoi më 29 korrik edhe katër persona të tjerë me burgim deri në gjashtë, ndërsa liroi të tjerë.
Safet Bibiq është dënuar me gjashtë vjet burgim, Senad Trako me një vit e gjysmë, Ramiz Karavdiq me dy vjet dhe Esad Xhananoviq me tri vjet.
Ndërsa Nexhad Trako dhe Asim Sarajliq, i cili gjithashtu është në listën e SHBA-së për korrupsion, u liruan nga akuzat.
Vendimet e gjykatës mund të apelohen.
Gjykimi ishte pjesë e përpjekjeve të mbështetura nga Perëndimi për të frenuar korrupsionin në këtë vend ballkanik, i cili po përpiqet të rimëkëmbet ekonomikisht nga një luftë etnike shkatërruese e viteve 1990.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj perëndimorë kanë vendosur sanksione ndaj individëve që konsiderohen se minojnë sundimin e ligjit dhe stabilitetin në Ballkan.