Ish-deputeti i LDK-së dhe një i akuzuar tjetër lirohen nga akuza për keqpërdorim me vota
Ish-deputeti i LDK-së, Shkumbin Gashi dhe Sylë Balaj janë liruar nga akuza për keqpërdorim me vota për zgjedhjet e shkurtit 2021. Sipas gjykatës nuk është provuar se ata kanë kryer veprën penale për të cilën akuzoheshin nga Prokuroria Speciale.
“…nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale për të cilën akuzohen andaj të njëjtit lirohen nga akuza”, tha kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Musa Konxheli, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Shpallja e aktgjykimi është bërë të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë në prezencë të akuzuarve Gashi, me mbrojtësin, avokatit Admri Kurmehaj dhe Balajt me mbrojtësin, avokatin Xhafer Tahiri ndërkaq nuk ishte askush në shpallje nga Prokuroria Speciale.
Gjithashtu gjykatësi i rastit Konxheli njoftoi se shpenzimet e procedurës bien në barrë të buxhetit të gjykatës derisa pala e pakënaqur ka të drejtë ankese prej 30 ditësh pasi të pranohet aktgjykimi.
Shkumbin Gashi ishte betuar si deputet në Parlament në shkurt 2020 pasi i ishte liruar vendi nga Besian Mustafa i emëruar në pozitën e Ministrit në Qeverinë Hoti.
Më 4 prill 2024 gjykata kishte rihapur shqyrtimin gjyqësor me arsyetimin se duhet të verifikohet koha e shkrepjes së dy fotografi në të cilën pretendohej se shiheshin të akuzuarit dhe se duhej të dëgjohej përfaqësuesi i KQZ-së
Në seancën e 2 shkurtit 2024 pas propozimit të mbrojtësit të të akuzuarit Kushtrim Gjevukaj, ndaj tij gjykata kishte veçuar procedurën penale, pasi që bëhej fjalë për një vepër tjetër penale.
Më 31 janar 2023, ishte aprovuar marrëveshja për pranim fajësie, ku i akuzuari Milot Blakaj ishte dënuar me 20 muaj burgim me kusht.
Ish-deputeti i LDK-së, Shkumbin Gashi, Kastriot Blakaj, Dardan Blakaj, Tahir Shala dhe Sylë. Balaj, në seancën e 17 marsit 2023, ishin deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzën për keqpërdorim të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.
I akuzuari Dardan Blakaj, në seancën e 24 prillit 2023 pas aprovimit të marrëveshjes për pranim të fajësisë, ishte dënuar me dënim unik në kohëzgjatje prej 11 muaj burgim me kusht, për akuzën për keqpërdorim të votave në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.
Ndërsa, në seancën e 29 majit 2023 pas aprovimit të marrëveshjes për pranim të fajësisë nga ana e gjykatës, Tahir Shala ishte dënuar me dënim unik në kohëzgjatje prej 20 muaj burgim me kusht, për keqpërdorim të votave.
Kurse, në seancën e 29 majit 2023 pas aprovimit të marrëveshjes për pranim të fajësisë nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë, i akuzuari Kastriot Blakaj është dënuar me dënim unik në kohëzgjatje prej 24 muaj burgim me kusht.
Më 8 gusht 2023, i akuzuari Shpetim Shala kishte arritur marrëveshje për pranim të fajësisë me që rast ishte dënuar me 11 muaj burgim me kusht.
Aktakuza ndaj Shkumbin Gashit, Kastriot Blakajt, Shpëtim Shalës, Tahir Shalës, Milot Blakajt, Dardan Blakajt, Sylë Balajt dhe Kushtrim Gjevukajt ishte ngritur më 29 dhjetor 2022 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Në aktakuzë thuhet se Gashi si kandidati i LDK-së për deputet, në bashkryerje me Kastriot, Dardan dhe Milot Blakaj, Shalën dhe Balajn kishin votuar në emër të shtetasve të Kosovës që jetonin në Austri, prandaj me këto veprime akuzohen se kanë kryer veprën penale:“Keqpërdorimi i të drejtës së votimit” dhe “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes”.
Kurse i akuzuari tjetër Gjevukaj, thuhet se përmes kanosjes i kishte shkaktuar frikën Agim Abdylit, andaj ngarkohet për veprën penale “Kanosje”.