Ish-deputeti i LSI-së për ditëlindjen e Jakup Krasniqit: Në luftë ishe zëri i UÇK-së, sot krenaria e saj
Jakup Krasniqi dje mbushi 70 vjeç. Por nuk e festoi dot ditën e lindjes siç ai dhe familja e gjithë të dashurit e tij do të donin. Ish-zëdhënësi i UÇK-së dhe ish-kryetari i parlamentit të Kosovës ndodhet në Hagë së bashku me ish-presidentin Thaçi, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin, të akuzuar për krime lufte.
Ish-deputeti i LSI-së, Luan Rama ka postuar në faqen e tij në “Facebook” një mesazh për Jakup Krasniqin, ku ndër të tjera shkruan se Jakup Krasniqi në luftën për liri në tokën e Kosovës ishte zëri i UÇK-së, ndërsa sot në luftën për drejtësi, është krenaria e saj.
“Në 70 – vjetorin e lindjes: Jakup Krasniqi – në luftë zëri i UÇK-së, sot krenaria e saj.
Jakup Krasniqi iu dha Kosovës me ç’ka mundi. Iu dha me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë në luftën e UÇK-së.
Iu dha me shpirt e me zemër, iu dha me dijen dhe qenien e vet.
Por, iu dha edhe me gatishmërinë e patriotit për të dhënë edhe jetën, si të gjithë ata që zgjodhën luftën për të çliruar Kosovën prej pushtimit dhe genocidit serb.
Jakup Krasniqi kur me bindje u përcaktua për luftën çlirimtare, nuk e dinte në do të shpëtonte i gjallë apo do të ishte njëri nga dëshmorët e atdheut.
Sepse ata që rrëmbejnë armët e luftës për liri, i marrin parasysh të gjitha sakrificat e mundshme, edhe atë më sublimen, flijimin.
Ndaj, nuk bëjnë llogari jetën e tyre.
Por ama, Jakup Krasniqi e dinte mirë se fundi i luftës do të ishte liria e Kosovës dhe se Kosova do të bëhej shtet i pavarur prej luftës çlirimtare.
E bash për këtë ia vlente e gjithmonë ia vlen çdo sakrificë.
Jakup Krasniqi dje mbushi 70 vjet. Por nuk e festoi dot ditën e lindjes siç ai dhe familja e gjithë të dashurit e tij do të donin.
Sepse ai ka shkuar prapë në luftë, ani pse kësaj here në luftën që nuk e zgjodhi vetë.
Ka shkuar në luftë, për të mbrojtur luftën dhe gjakun e shokëve që ia mori lufta.
Ka shkuar në luftë për UÇK-në, për emrin dhe nderin e saj.
Sepse ai është Jakup Krasniqi e zakoni i tokës, i gjuhës, i gjakut dhe i fisit nuk e njeh e nuk e pranon tutën.
Jakup Krasniqi në luftën për liri në tokën e Kosovës ishte zëri i UÇK-së, ndërsa sot në luftën për drejtësi, është krenaria e saj.
Ndaj ai prapë iu dha Kosovës, sepse Kosova ende ka nevojë për Jakup Krasniqin, zërin dhe krenarinë e UÇK-së” shkruan Luan Rama.