Ish-deputeti i PDK-së bëhet drejtor në komunën e Skenderajt
Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari, ka emëruar Abdyl Ymerin, drejtor të Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Komunën e Skenderajt.
Ymeri ka mbi 20 vite përvojë pune në pozita udhëheqëse në nivelin lokal dhe atë qendror, si deputet i Kuvendit të Kosovës, zëvendësministër, drejtor për disa mandate dhe nënkryetar në komunën e Skenderajt.
“Abdyl Ymeri është vlerë e shtuar e qeverisjes sime lokale dhe garanci e suksesit të përbashkët”, ka thënë Jashari.
Më tutje, ai ka falënderuar për angazhimin e deritanishëm ushtruesin e detyrës, drejtorin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ramiz Shala.
“Me Abdyl Ymerin drejtor, me profesionalizmin dhe përvojën e tij shumë vjeçare do të vazhdojmë të kemi prioritet zhvillimin e politikave rinore, sportit dhe kulturës në komunën tonë”, është shprehur Jashari. (L.G: ‘Epoka e re’)