Ish-deputeti i Vuçiqit: Lista Serbe, e ndikuar nga Beogradi
Protestat masive në Beogradin zyrtar tash e tre muaj po vazhdojnë.
E kërkesë e tyre është largimi i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas rastit të 2 nëntorit në Novi Sad ku mbetën të vdekur 15 persona si pasojë e rënies së çatisë së stacionit hekurudhor.
Sipas ish-deputetit serb, Dragan Sormaz, këto protesta do të bëhen edhe më të ashpra.
Për tëvë1, ai tha se kryeministri serb, Millosh Vuçeviq është dashur të dorëhiqej qysh në momentin kur ndodhi tragjedia.
“Qeveria ka rënë, për shkak të këtyre protestave, për herë të parë i ka ndodhur Vuçiqit t’i bie qeveria, e kjo është një shenjë. Qeveria ka rënë, kryeministri është dorëhequr, tash duhet të zgjidhet qeveria e re. Këto protesta nuk do të ndalen, veç sa do të jenë më të forta, por edhe është e pamundur të bëhet që brenda 30 ditësh të thirren zgjedhjet. Por askush s’do të pranojë zgjedhjet në Serbi, derisa të mos realizohen propozimet e dhëna pas zgjedhjeve të kaluara”, ka deklaruar ai.
Ish-deputeti serb ngriti alarmin se muajt në vijim, Serbia do të jetë në një momentum edhe më të vështirë.
“Vuçiqi ka bërë sistem klientist korruptiv gjatë viteve të fundit sidomos në pesë vitet të fundit duke e bërë më të përsosur. Kjo që ka udhëhequr Vuçeviq nuk ka qenë qeveri, e as tjetra nuk do të jetë. Unë këtë e quaj kabinet i zgjeruar i presidentit të Republikës. Ai vendos gjithçka, i thërret në telefon, u thotë çfarë të bëjnë. Pra për gjithçka që ndodh në Serbi, në thelb fajin e ka Aleksandar Vuçiq. Dhe sa të jetë kështu, Serbia do të fundoset e do të jetë në situatë të përkeqësuar, edhe ekonomikisht, edhe në rajon me fqinjët do të ketë situatë më të vështirë, edhe ndërkombëtarisht.”
I pyetur për ndikimin e Serbisë në Kosovë përmes Listës Serbe, ai shtoi se kjo parti është direkt e ndikuar nga Beogradi.
Por nuk beson se Serbia do t’i financojë serbët e Kosovës me para.
“Si do të paguajë ai ato 20 mijë dinarë për 5000 serbë, në çfarë mënyre? A do t’i paguajë me euro? Nëse i paguan me euro, do të futet në sistemin e pagesave të Kosovës. Në llogaritë zyrtare të cilët kanë llogari të hapura, të gjithë kanë llogari në bankat që punojnë në Kosovë, ato që kanë licenca. Pastaj ky bëhet një problem i ri për atë sepse bie në situatë kur ai duhet të pranojë krejt atë që qeveria e Kosovës ka bërë në periudhën e kaluar”, ka deklaruar Sormaz.
Sormaz shtoi se protestat në Beograd po përkrahen edhe nga serbët në veri të Mitrovicës të cilët para disa ditësh u solidarizuan me një minutë heshtje në shenjë përkrahje për protestuesit në Serbi.