Ish-deputeti i LV-së, Florin Krasniqi, kthehet për ta përkrahur PSD-në
Biznesmeni Florin Krasniqi, ish-deputet i Vetëvendosjes, që jeton në Amerikë, është kthyer pas shumë kohësh direkt në fushatë.
Ai është parë në tubimet e fundit të koalicionit PSD-AAK, derisa viteve të fundit ishte krejtësisht jashtë politikës.
Lëvizja Vetëvendosje, pjesë e së cilës ishte Krasniqi, është ndarë në fund të vitit 2016, ndërsa i bie që ish-deputeti është në pjesën e të pakënaqurve.
Krasinqi është kthyer në Prishtinë për të përkrahur një pjesë të ish-kolegëve të tij, që janë ndarë nga LV-ja e Kurtit dhe tash janë pjesë e Partisë Socialdemokrate.
Në PSD kanë thënë për Gazetën Express se Krasniqi po merr pjesë në tubimet elektorale sepse e mbështet këtë parti, e rrjedhimisht edhe koalicionin AAK-PSD.
Në një nga fotografitë e tubimit të koalicionit që moto ka “100% shtet”, Krasniqi është para krah dy liderëve të partive përkatëse, Shpend Ahmetit e Ramush Haradinajt. Në fotografi shihen edhe kandidatët për deputetë, Dardan Molliqaj e Shpend Ahmeti.
Ky koalicion sot ka mbajtur tubime në Deçan dhe Junik, ndërsa Krasniqi ishte bashkë me ta dje në tubimin qendror në Prishtinë.
Florin Krasniqi ka qenë deputet i LV-së në legjislaturën e katërt të Kuvendit të Kosovës, gjatë viteve 2010-2014.
Ai është sipërmarrës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.