Ish-deputetja Ismaili: Kurti ka vënë interesat e partisë së tij mbi mirëqenien e vendit
Ish-deputetja e PDK-së, Besa Ismaili, ka theksuar se kryeministri Albin Kurti edhe tani ka vënë interesat e partisë së tij mbi mirëqenien e vendit që ai duhet të përfaqësojë.
Sipas saj, në qasjen e tij për pushtet dhe kontroll, ai ndjekë një qasje tribaliste, duke konsideruar aleatë partitë e së majtës socialiste evropiane, ndërsa partitë e opozitës kosovare jo vetëm si kundërshtarë ideologjik por edhe si armiq të vendit.
“Tani që shtetin e Kosovës e ka vendosur nën masa ndëshkimore nga Bashkimi Evropian, e për ç’gjë nuk shohim asnjë përpjekje nga ana e tij për heqjen e tyre, ajo çfarë shohim nga vizita e tij në Evropë këto ditë nëpër kongrese e mexhlise të partive të majta, shpërfaqë fytyrën reale të Kurtit të përqendruar vetëm te përfitimet afatshkurtëra për partinë e tij, në vend të zgjidhjeve afatgjata për vendin”, ka shkruar Ismaili në “Facebook”.
Ajo ka shtuar se prioretizimi i partisë mbi Kosovën për të parin e Qeverisë së Kosovës, dëshmon mungesën e aftësisë dhe vullnetit të tij për të adresuar sfidat komplekse me të cilat po përballet Kosova.
“Ilustrative për këtë fakt flasin edhe takimet e Kurtit me bizneset e diasporës dhe anashkalimi dhe shtypja që ai ua bën bizneseve në vend. Peshorja politike e Kurtit që kualifikon për mbështetje dhe bashkëpunim qendron mbi kriterin: nëse kontribuoni për LVV-në, jeni të mirë për Kosovën. Por jo edhe anasjelltas: kush kontribuon për Kosovën, është i/e mirë edhe për Kurtin dhe partinë e tij. Dhe pikërisht ky kriter është diskualifikues për burrështetas dhe mallkues për shtetin”, ka theksuar ish-deputetja Ismaili.