Ish-deputetja Ismaili: Mjaft është mjaft, sepse historia nuk mund të rishkruhet!
Ish-deputetja e PDK-së, Besa Ismaili, ka thënë se lajmi për ndalimin e Hajredin Kuçit, një nga figurat me integritet dhe më emblematike në sistemin e drejtësisë të Kosovës, padyshim se është një tronditje e madhe publike.
“Ky lloj lajmi jo vetëm që indinjon publikun por edhe nxitë pikëpyetje dhe dyshime mbi një koncept të rëndësishëm etik dhe juridik: ndjekja dhe ndëshkimi i të pafajshmëve nuk përfaqëson drejtësi. Padrejtësia ndaj të pafajshmëve nuk sjellë drejtësi për viktimat, dhe as nuk e përmbushë qëllimin e drejtësisë për mbrojtjen e viktimave dhe shoqërisë në tërësi. Kur një gjykatë dështon në përfundimin e një aktakuze dhe nis një tjetër, kjo mund të ngjallë dyshime jo vetëm për efikasitetin e gjykatës por edhe keqpërdorimin e saj!”.
“Absurde është përpjekja që përmes ngritjes së aktakuzave të reja të korrigjohen gabimet dhe dobësitë e këtij procesi të iniciuara fillimisht nga fabrikime të motivuara politikisht. Absurditetit i bashkëngjitet edhe qeveria e Kosovës, me heshtjen e saj dhe me idenë se nuk ia ka haberin se çfarë po ndodhë me çlirimtarët!”, ka shkruar Ismaili në “Facebook”.
Ajo ka thënë se ashtu siç dihej dhe u bind bota se raporti i Dik Martit ishte i shpifur. “edhe ky proces ditë më ditë vetëm sa po i shton bindjet për një proces të kompromituar të drejtësisë ndërkombëtare! Mjaft është mjaft, sepse historia nuk mund të rishkruhet!”, ka shkruar Ismaili.