Ish-deputetja Ismaili: Qeveria ka disa arsye kur akuzon opozitën për tradhti
Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Besa Ismaili, ka reaguar ndaj deklartës së zëvendëskryeministri Besnik Bislimi se opozita në Kosovë është në vijë me Serbinë.
Ajo ka thënë se Qeveria ka disa arsye kur akuzon opozitën për tradhti.
“Besnik Bislimi, si doreza e kryeministrit për marrëveshjet e këqija në Bruksel, del për të satën herë në publik duke shpërfaqur qartazi se ai dhe shefi i tij e sheh opozitën si një kërcënim për autoritetin e tyre. Akuzimi i anëtarëve të opozitës për tradhti është strategji për të dekurajuar kritikën për mosmarrëveshjen e keqe. Pushteti i Kurtit ka vënë në zbatim taktika për të trembur dhe për të pushuar zërat e opozitës, medies dhe shoqërisë civile të flasin kundër politikave ose veprimeve të qeverisë. Akuzimi i opozitës për tradhti synon devijimin e vëmendjes së publikut larg dështimeve, skandaleve, korrupsionit dhe keqmenaxhimeve të qeverisë”, ka shkruar Ismaili në “Facebook”.
Ajo ka thënë se: “Ata demonizojnë opozitën duke na portretizuar si armiq të shtetit edhe për të nxitur perceptim negativ në sytë e publikut, duke e bërë më të lehtë legjitimimin e veprimeve ose opinionit të tyre për dëmet e shkaktuara tashmë këtij vendi. Është e rëndësishme të theksojmë se akuzat për tradhti pushtetet i përdorin si një mjet për manipulim politik pikërisht për tradhtinë që ata vet kanë bërë apo po e bëjnë. Kot e keni. Nuk do të mund të ikni nga llogaridhënia”, ka thënë ish-deputetja e PDK-së, Besa Ismaili.