Ish-deputetja kërkon përfshirjen e pronave të uzurpuara shqiptare më 1877-1878
Ish-deputetja e LDK-së, Melihate Tërmkolli, u ka dërguar një letër zyrtarëve më të lartë shtetërorë të Republikës së Kosovës dhe Ambasadorëve të shteteve të Quintit në lidhje me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Në këtë letër Tërmkolli ka kërkuar që në kuadër të dialogut për paqe mes dy vendeve, të shtrohet edhe çështja e kthimit të pronave të shqiptarëve të dëbuar nga qytete si Nishi, Prokupla, Kurshumlia e rajoni i Toplicës, prona të cilat, pasi sipas saj u aneksuan dhe sot janë nën administrimin politik e juridik të Serbisë”.
“Në fund të vitit 1877 dhe fillim 1878, Serbia dëboi me dhunë në mënyrën më mizore, nga tokat dhe shtëpitë e veta, sipas shumë të dhënave, më shumë se 300.000 shqiptarë nga një territor kompakt i cili është sa territori i sotëm i Kosovës duke përfshirë qytete si Nishi, Prokuple, Kurshumli, rajoni i Toplicës, të cilat u aneksuan dhe sot janë nën administrimin politik e juridik të Serbisë. Në këtë pjesë pothuaj tërësisht shqiptare, Serbia bëri spastrim etnik dhe gjenocid kundër shqiptarëve”, ka thënë Tërmkolli në letrën e saj.
Prandaj, Tërmkolli ka kërkuar nga të sipërpërmendurit “përkrahjen tuaj për kthimin e tokave të uzurpuara nga Serbia në Sanxhakun e Nishit, pronarëve të vërtetë, bazuar në të gjitha normat dhe rregullat ndërkombëtare”.
“Sot Evropa (Parlamenti Evropian) dhe shtetet evropiane veç e veç, si kusht për integrim në Evropë po i kërkojnë Turqisë edhe pranimin e gjenocidit të Perandorisë Osmane kundër armenëve. Konsideroj se një gjë e tillë me më shumë vendosmëri duhet t’i kërkohet Serbisë për gjenocidin kundër shqiptarëve që nga viti 1877-1878 e deri më 1999”, shprehet ish-deputetja e LDK-së.
Më poshtë ju sjellim të plotë letrën e Melihate Tërmkollit:
Letër: Zyrtarëve më të lartë shtetëror të Republikës së Kosovës
Ambasadorëve të shteteve të Kuintit
I/E nderuar,
Po ju drejtohem me këtë letër me besimin që do të kuptohem drejt në qëllimin dhe kërkesën që kam paraqitur për ta zgjidhur në bisedimet me Serbinë.
Në fund të vitit 1877 dhe fillim 1878, Serbia dëboi me dhunë në mënyrën më mizore, nga tokat dhe shtëpitë e veta, sipas shumë të dhënave, më shumë se 300.000 shqiptarë nga një territor kompakt i cili është sa territori i sotëm i Kosovës duke përfshirë qytete si Nishi, Prokuple, Kurshumli, rajoni i Toplicës, të cilat u aneksuan dhe sot janë nën administrimin politik e juridik të Serbisë.
Në këtë pjesë pothuaj tërësisht shqiptare, Serbia bëri spastrim etnik dhe gjenocid kundër shqiptarëve.
Në dimrin e acartë të vitit 1877-1878, ushtria e xhandarmëria serbe, vrau e preu gra e fëmijë, burra e të moshuar, me shpata e bajoneta të gjithë shqiptarët, në tokën e vet, në vendin e vet. Ata që “shpëtuan” nga vrasja, u dëbuan dhe u detyruan të shpërngulen në pjesë tjera të banuara me shqiptarë, kryesisht në Kosovë e Shqipëri, por edhe në Turqi.
Duke e ditur se një nga vlerat esenciale të demokracive perëndimore, SHBA dhe Evropës, janë të drejtat themelore të njeriut, pra edhe e drejta e pronës, besojmë shumë se kthimi i pronave cilat Serbia i uzurpoi dhunshëm përmes spastrimit etnik dhe gjenocidit, do t’ju kthehen pronarëve të ligjshëm dhe pasardhësve të tyre.
Kërkojmë pra me shumë besim përkrahjen tuaj, për kthimin e tokave të uzurpuara nga Serbia në Sanxhakun e Nishit, pronarëve të vërtetë, bazuar në të gjitha normat dhe rregullat ndërkombëtare.
Në Vendimet e Kongresit të Berlinit, Paragrafi XXXIX (39) thuhet “Myslimanët (sepse nuk na njihnin si popull shqiptar) që kanë prona në territoret e aneksuara nga Serbia dhe të cilët duan të jetojnë jashtë Principatës, mund ta bëjnë një gjë të tillë dhe njëkohësisht të mbajnë pronat e tyre, ose t’i mbyllin nëse janë dyqane, a t’ia japin për administrim një pale të tretë….” (Kongresi i Berlinit 1878, Historiografi, Jusuf Buxhovi)
Pra, që nga Kongresi i Berlinit ka mbetur e hapur çështja e kthimit të pronave shqiptarëve të dëbuar nga Sanxhaku i Nishit, sepse edhe pse u bë një komision ndërkombëtar për ta rregulluar këtë çështje, Serbia asnjëherë nuk lejoi realizimin e saj. Prandaj kjo edhe sot na jep të drejtë ta shtrojmë çështjen e kthimit të tyre, aq më tepër kur bota demokratike perëndimore të drejtën e pronës e konsideron të shenjtë dhe një nga shtyllat e vlerave perëndimore.
Sot Evropa (Parlamenti Evropian) dhe shtetet evropiane veç e veç, si kusht për integrim në Evropë po i kërkojnë Turqisë edhe pranimin e gjenocidit të Perandorisë Osmane kundër armenëve. Konsideroj se një gjë e tillë me më shumë vendosmëri duhet t’i kërkohet Serbisë për gjenocidin kundër shqiptarëve që nga viti 1877-1878 e deri më 1999.
I/E nderuar,
Ndërtimi i raporteve të mirëfillta mes Kosovës dhe Serbisë do të arrihej shumë më lehtë nëse Serbia do të ketë vullnet dhe do të jetë në gjendje të pranojë gjenocidin dhe spastrimin etnik kundër shqiptarëve të bërë në vitet 1877-1878 dhe 1997-1999, dhe të riparojë dëmet e shkaktuara shqiptarëve për më shumë se një shekull. Shpreh bindjen se derisa kjo të mos arrihet, Serbia, siç po shihet asnjëherë nuk do të heqë dorë nga pretendimet ndaj tokave shqiptare dhe nga përpjekjet që edhe më tutje të ndërmarrë veprime të spastrimit etnik dhe gjenocidit, me luftë ose “heshtazi”, ashtu siç po ndodhë edhe sot në sy të të gjithë neve, me shqiptarët në Preshevë, Medvegjë e Bujanovc dhe problemet me veriun e Mitrovicës.
Mendoj që një marrëveshje historike mes dy popujve dhe shteteve do të shënonte një kapitull të ri për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin e kësaj pjese të Evropës.
Jam e vetëdijshme se tërë kjo është një sfidë jo e lehtë dhe çështje aspak e vogël, ashtu siç kam besimin se me punë dhe me përkrahjen tuaj do të arrihet zgjidhja e duhur.
Me respekt,
Melihate Tërmkolli