Ish-deputetja: Më është ofruar videoja ku ishte regjistruar vrasja e Ivanoviçit
Ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës, Rada Trajkoviç, aktualisht kryetarja e ‘Lëvizjes Evropiane të Serbëve nga Kosova e Metohia’ deklaroi se i ishte ofruar një video ku ishte regjistruar vrasja e politikanit serb Kosovës Oliver Ivanoviç, i cili u ekzekutua në veri të Mitovicës.
Në një deklaratë për mediat serbe, Trajkoviç tha se nuk kishte pranuar ta merrte videokasetën, duke deklaruar se provat duhet të dorëzoheshin në prokurori në Prishtinë.
“Para se të shkoja në Mitrovicën e Kosovës, unë kam përjetuar një presion të jashtëzakonshëm. Më thanë se atje të më presin grupe të ndryshme mafioze dhe do të më vrisnin. Ata erdhën edhe në selinë e koalicionit tonë ‘Liria’. Disa njerëz, nga qarqe jo transparente, më ofruan kopjen e një videoincizimi të vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Më thanë që njëra kopje i është dhënë dikujt nga autoritetet shtetërore dhe tjetra më është ofruar mua. Unë thashë që as nuk e marr dhe as nuk jap para, dhe se provat, nëse i kanë, duhet t’i ofrohen prokurorit Syla në Prishtinë”, tha Trajkoviq.
Trajkoviç gjithashtu tha se kurrë nuk do të heqë dorë nga zbulimi i kryesit të vrasjes së
Ivanoviçit. Ajo tha se jo gjithmonë ishte dakord me Ivanoviçin politikisht, ndërsa shtoi se ata kishin qëllime të njëjta.
“Unë ende e ruajë porosinë e Oliverit që më është dërguar pesë ditë para vrasjes së tij, në të cilën thuhet: ‘Ndoshta do të më vrasin, por nuk mund të ndalem, sepse do ta turpëroja familjen time. Kjo nuk do të ishte krenaria e familjes sime’”, tha Trajkoviç.
(BalkanWeb)