Ish-diplomatët e shkarkuar nga Donika Gërvalla i drejtohen gjykatës
9 nga 11 ish-diplomatët e shkarkuar në mars të vitit 2022 me vendim të ministres së Jashtme, Donika Gërvalla, i janë drejtuar gjykatës duke kërkuar rikthimin e tyre në punë dhe kompensimin e të gjitha pagaeve dhe beneficioneeve të llogaritura që nga dita e shkarkimit. Ministria e Jashtme shkarkimin e kishte arsyetuar duke thënë se shërbyesit diplomatic dhe konsullor, janë emëruar në mënyrë të jashtëligjshme, ndërsa avokati i tyre pret që Departamenti për Çështje Administrative i Gjykatës Themelore në Prishtinë, ta vërtetojë të kundërtën.
Nëntë ish-diplomat të shkarkuar në vitin 2022, nga ministrja e Jashtme Donika Gërvalla, i janë drejtuar Gjykatës dhe po presin që ajo ta rrëzojë vendimin e Kryediplomates.
Mitat Fejza, ish-Konsull në Paris, Blerim Canaj, Këshilltar në ambasadën në Austri, dhe ish-zëvendës ambasador në Gjemani, Rrahim Morina, Konsull i Përgjithshëm në Stamboll, dhe ish-diplomatët në pozita të ndryshme, Lulzim Rifaj, Bahrije Hoti, Binak Berisha, Shota Bukoshi, Adnan Dragaj, dhe Enver Buçaj.
Këta janë emrat që figurojnë në padinë e dorëzuar në Departamentin për Çështje Administrative në Themeloren e Prishtinës.
Hajzer Salihu, avokati i ish-anëtarëve të shërbimit diplomatik dhe shërbimit konsullor, për gati tri orë e argumentoi padinë në seancën para gjyqtares, Valbona Gjonbalaj.
“Në momentin që emërohet me vendim të ministrit me automatizëm e fiton statusin e nënpunësit civil dhe trajtohet sikurse shërbyes civil dhe ajo çfarë ka ndodhur pastaj, kur ne kemi shkuar kundër vendimeve të Ministres në Këshillin e Pavarur, absurditeti i vendimit të Këshillit është se e ka shpallur veten jo-kompetent në trajtimin e ankesave të ankuesve,” tha Salihu.
Salihu thotë se padia e paraqitur para gjyqtares i atakon të dyja vendimet.
“Gjykata ka të drejtë të vendosë për çështjen edhe në meritë, dhe ne mbi bazën e kësja dispozite kemi kërkuar nga Gjykata të anulohet vendimi i Këshillit si i paligjshëm si dhe të anulohen edhe vendimet e ministres lidhur me largimin nga puna të paditësve, dhe të obligojë MPJ-në që paditësit t’i kthejë në vendim e punës, dhe t’i paguajë pagat, beneficionet, dhe shtesat në mënyrë retroaktve,” shtoi Salihu.
Më 16 mars 2022, në njoftimin për shkarkimin e 11 punonjësve, Ministra e Jashtme kishte preetenduar se këta zyrtarë janë punësuar në mënyrë të paligjshme.
Ministria e udhëhequr nga Gërvalla, shkarkimin e kishte arsyetuar duke pretenduar se 11 zyrtarët e shkarkuar nuk i janë nënshtruar procedurave të përcaktuara me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm dhe Ligjin për Shërbimin Civil.