Ish-diplomati amerikan: ‘Patkoi’ i nënshkruar nga Millosheviqi, parashikonte dëbimin e shqiptarëve nga Kosova
Gjatë dëshmisë së tij në gjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ish-diplomati amerikan Shaun Byrnes, ka thënë se operacioni “Patkoi” ishte i nënshkruar nga Sllobodan Millosheviqi dhe parashikonte që përmes forcës ushtarake të dëbohej popullsia shqiptare nga Kosova.
Ai ka thënë se këtë operacion e kishte kuptuar përmes ambasadorit Hill, e që dokumenti iu ishte dërguar nga Shërbimi i Inteligjencës Austriake.
“Në një prej vizitave të mia në Ambasadë në Shkup, ambasadori Hill me kërkoi që të lejoja një dokument inteligjence që ishte marrë kohët e fundit dhe kjo rezultoi që të ishte një përkthim i një dokumenti që ai tha që na e kishte kaluar neve Shërbimi Inteligjent i Austrisë. Bëhej fjalë për një dokument ku shtjellohej një plan i Beogradit, ishte një plan që kishte marrë nënshkrimin e Millosheviqit që në një mënyrë të tillë të përdorej forca e sigurisë së Serbisë duke përfshirë edhe ushtrinë që të bënte apo të nxirrte nga vendi një përqindje të konsiderueshme të popullsisë shqiptare në Kosovë dhe t’i dëbonin ata apo t’i largonin kryesisht drejtë Shqipërisë”, ka thënë ai, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në një dëshmi që kishte dhënë dëshmitari, ai kishte thënë se ekipet me GDOM-it amerikan kishte parë pamje që paramilitarët serbë po digjnin shtëpi në një fshat të Malishevës.
Po ashtu, Byrnes ka pohuar se një gjë të tillë e kishte parë edhe në fshatrat e tjera.
Ai ka thënë se kishin parë shqiptarë që dëboheshin nga fshatrat, që dërgoheshin jashtë kufijve, digjeshin kafshë, e të tjera. Sipas tij, kjo gjë kishte ndodhur gjatë kohës së vjeshtës.
Dëshmitarit i është prezantuar edhe një video e Hashim Thaçit e 17 korrikut 1999, në të cilën bënte thirrje për tolerancë dhe shmangie të dhunës ndaj popullsisë minoritare.
Ai dëgjohej duke thënë se nuk do të lejonte anarki dhe se do t’i respektojnë rregullat e rendit demokratik.
Ndërsa dëshmitari ka thënë se nuk e ka dëgjuar këtë fjalim ndonjëherë, mirëpo kishte dëgjuar që Thaçi kishte bërë thirrje që t’i jepej fund dhunës.
Me kërkesën e avokatit Mishetiq është pranuar si provë kjo video së bashku me dy harta zonale që i janë prezantuar këtij dëshmitari gjatë marrjes së dëshmisë së tij.