Ish-diplomati amerikan: UÇK-ja nuk kishte influencë mbi komandantët e zonave
Shaun Byrnes, ish-shef i misionit diplomatik vëzhgues të Amerikës në Kosovë, është dëshmitari i 53-të në rastin e krerëve të UÇK-së në Hagë.
Në nisje të dëshmisë, ai ka thënë se ka ardhur si dëshmitar jo me vetiniciativë, por pasi i është kërkuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
“Dëshiroj të them që jam këtu me kërkesën e Departamentit të Shtetit dhe Prokurorisë së Specializuar. Nuk kam ardhur këtu me nismën time vetjake, megjithatë e pranoj përgjegjësinë që të jap dëshmi duke marrë parasysh pozicionin tim dhe përgjegjësitë e mia në Kosovë në vitet 1998-1999”, ka thënë ai, raporton “Nacionale”.
Gjatë marrjes në pyetje, Byrnes ka folur edhe për rolin e Thaçit në kohën e luftës dhe takimet që ka pasur me të. “Është gjysmë e saktë. Asnjëherë nuk mbajë në mend që Thaçi të jetë marrë në mënyrë të drejtpërdrejt me komandantët në terren. Ne e kemi takuar me pjesëtarë të tjerë të drejtorisë politike, dhe sipas përkufizimit, jo udhëheqës ushtarak”, ka thënë Byrnes
Ai ka thënë se “shtabi i përgjithshëm ka qenë si Ministria e Jashtme e UÇK-së”. “Kjo ka qenë ndjesia”, ka thënë ai, duke treguar edhe ndërveprimin që kishte UÇK-j me faktorin ndërkombëtar. “Kishte dy grupe në diasporë: një grup që ishte pro çlirimit, dhe shndërrimit të saj në shtet të pavarur. Kishte një grup tjetër i cili ishte opsioni 1 plus 1, çlirimi nga Serbia dhe ribashkimi me Shqipërinë. Këta nga diaspora u kthyen në Kosovë nga Zvicra, dhe ata ofruan ndërveprimin me komunitetin ndërkombëtar. Sepse ata kuptuan zotëri faktin që pas Dejtonit në 1995, Kosova kishte pak gjasa që të bëhej e pavarur. Këta zotëri si Thaçi e Haliti u kthyen”, ka thënë Byrnes.
Ai ka folur edhe për organizimin e disa zonave, duke thënë se komandantët ishin kundër të futeshin nën urdhrat e shtabit të përgjithshëm. “E dinim se kishte rezistencë për riorganizimin e zonave. Në veçanti (Rrahman) Rama dhe disa komandantë të zonave, dhe z. Ramush Haradinaj, ata të dy na kishin thënë se ishin kundër riorganizimit. Dhe ishin kundër që të ishin të varur nga shtabi i përgjithshëm që u organizuar diku nga fundi i verës. Ata kishin këtë qëndrim sepse kishin mundësi të rezistonin. Kishin burimet e veta, financimet e veta. UÇK-ja nuk kishte influencë mbi këta persona. Këta persona ishin të pavarur”, ka thënë ai.