
Ish-diplomati: Ardhja e Grenellit do të sqaronte politikën amerikane karshi Kosovës, për katër vitet e ardhshme
Ish-diplomati Avni Arifi ka komentuar mbi spekulimet që kanë qarkulluar në lidhje me mundësinë e ardhjes së Richard Grenell, apo ndonjë figure tjetër të ngushtë të administratës së ish-Presidentit Donald Trump, në Kosovë.
Ai për GazetaBlic tha se ka dëgjuar këto spekulime, por nuk ka marrë ende asnjë konfirmim zyrtar lidhur me këtë çështje.
Arifi ka theksuar rëndësinë që ka ardhja e Grenell, pasi ai është një nga figurat kryesore të administratës amerikane.
Sipas ish-diplomatit, një vizitë e tillë do të kishte një peshë të veçantë, pasi do të mund të sqaronte politikën amerikane ndaj Kosovës për vitet që do të vijnë.
“Janë dëgjuar këto spekulime, por nuk kam dëgjuar për konfirmim zyrtar. Ardhja e Grenell apo e kujtdo nga rrethi i ngushtë i presidentit Trump do të ishte me rëndësi të veçantë, sepse si njëri nga figurat kryesore të administratës amerikane, ai do të sqaronte politikën amerikane karshi Kosovës në katër vitet e ardhshme”, thotë Arifi për GazetaBlic.