Ish-diplomati amerikan thotë se Thaçi e Vuçiq kanë përgatitur një marrëveshje të keqe për Kosovën

14 mars 2020 | 14:06

Shoun Byrnes, diplomati i pensionuar amerikan, që shërbeu si shef i Misionit Vëzhgues Diplomatik të Shteteve të Bashkuara në Kosovë gjatë viteve 1998-1999, ka shkruar lidhur me marrëveshjen që supozon se e kanë përgatitur presidenti kosovar HashimThaçi me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Diplomati amerikan, në një tekst autorial të publikuar në “Peacefare.net”, shkruan se presidenti i Kosovës Hashim Thaçi dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq, kanë përgatitur një draft-marrëveshje gjithëpërfshirëse për t’i dhënë fund konfliktit shekullor të Serbisë me qytetarët shqiptarë.

“Tani është pothuajse gati për nënshkrim, por kjo është bllokuar nga kryeministri Albin Kurti që po refuzon të largojë tarifat ndaj importit të mallrave serbe, si dhe marrëveshjes kushtetuese se kush është përgjegjës për dialogun me Serbinë. Si pjesë e këtij drafti, përfshihet edhe shkëmbimi i territoreve”, ka shkruar Byrnes.

Ai shkruan se “Uashingtoni po kërcënon të tërheqë trupat amerikane në shenj hakmarrjeje, ndërsa Thaçi po e përdor përshkallëzimin e presionit të Shteteve të Bashkuara mbi Kurtin, për të inicuar rrëzimin e qeverisë së tij. Thaçi pretendon se refuzimi i Kurtit, kërcënon të rrezikojë marrëdhëniet me SHBA-në”.

“Kurti ka vendosur të heqë në mënyrë të njëanshme disa tarifa më 15 mars, duke ofruar heqjen e pjesës tjetër në 1 prill, nëse Serbia përgjigjet në mënyrë konstruktive. Ai i ka shkruar Sekretarit të Shtetit Pompeo, se do të heqë tarifat dhe do të rifillojë dialogun, nëse Serbia përgjigjet në mënyrë konstruktive për heqjen e tarifave”.

“Në mbyllje të një seance të jashtëzakonshme të Parlamentit të Kosovës, afër mesnatës së 11 marsit, Kryetari i Kuvendit propozoi që të hiqnin tarifat, në të njëjtën kohë Thaçi të heq dorë nga udhëheqja e dialogut. Nuk është e qartë, se çfarë do të ndodhë tani. Udhëheqësit e Kosovës, duhet të kujtohen se miqësia me SHBA-në është dhe do të mbetet, pavarësisht mosmarrëveshjeve në lidhje me tarifat”.

“Në vitin 2016, Thaçi dhe Vuçiq vendosën të hedhin poshtë qasjen hap pas hapi të BE-së të filluar në 2013, në favor të një marrëveshje të madhe gjithëpërfshirëse. Bashkimi Evropian kishte ndërmjetësuar një seri marrëveshjesh teknike – diploma universiteti, targa, automjete sigurimi dhe të ngjashme – që do të arrinin kulmin në një marrëveshje gjithëpërfshirëse, duke ‘normalizuar’ më në fund marrëdhëniet me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Por, vetëm disa nga marrëveshjet janë implementuar, ndërsa dialogu ngeci”, shkruan Byrnes.

“Sipas shumë burimeve, të dy presidentët u takuan në fshehtësi, shpesh nën mbështetjen e ish-Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Frederica Mogherini. Deri në fund të vitit të kaluar, këto marrëveshje sollën deri në një draft-marrëveshje, ndërsa nevojiteshin vetëm disa detaje”.

Më tej Byrmes shkruan se “Bazuar në dokumentet e rrjedhura, drafti përfshinë shkëmbim të territoreve (disa pjesë të veriut të Kosovës, si dhe disa pjesë të luginës së Preshevës në Jug të Serbisë), në bashkëpunim me komunat serbe pritet të arrihet një marrëveshje me autoritetet vendase, eksteritorialitetin e manastireve serbe dhe asnjë njohje de jure nga Serbia, por një vendim që Serbia të mos e bllokojë pranimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”.

“Se çfarë do të bëjë Rusia në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbetet problematike, përkundër sigurimit të Putinit për Vuçiqin dhe Thaçin në vitin 2018, se Rusia do të mbështesë gjithçka që Serbia dhe Kosova bien dakord. Një shkëmbim territori apo ndarje, si dhe Asociacioni ngritën flamuj të kuq me shumë diplomatë dhe vëzhgues”.

“Ndarja rrezikon shkëmbimin e detyruar të popullsisë, madje edhe dhunën. Më keq, mund të ringjallë ëndrrat e nacionalistëve tjerë radikalë në Ballkan. Një bashkësi virtualisht autonome komunave e komunave serbe, zbeh Republikën e Serbisë së Bosnjës. Kosova ka mjaft mosfunksionim, prandaj nuk i nevojiten edhe elemente shtesë”.

Ai thotë se “derisa me vështirësi arriti të kalonte një muaj në zyrë, Kurti është nën presion intensiv dhe përshkallëzues nga SHBA-të dhe presioni në rritje nga partneri i koalicionit, për të hequr menjëherë tarifat në mënyrë që dialogu të mund të rifillojë dhe marrëveshja gjithëpërfshirëse të përfundojë. Vuçiq nuk do që të ri vazhdojë, nëse Kosova nuk e largon fillimisht tarifën”.

“Kurti ka ofruar kompromis: të largojë tarifat, së pari për  lëndën e parë, deri më 15 mars. Me sa duket, 80 për qind e importeve janë lëndë të para, kështu që lëvizja e Kurtit shkon shumë në favor të asaj që kërkuan Serbia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Për më tepër, Kurti ofroi të heqë tarifat e mbetura që nga një prilli, me kusht që Serbia të përgjigjet në mënyrë konstruktive duke hequr të gjitha barrierat jo tarifore për tregtinë me Kosovën dhe të ndaloi fushatën për të bindur shtetet që njohin Kosovën për të tërhequr njohjen”, transmeton Telegrafi.

“Uashingtoni ka kundërshtuar kompromisin dhe insiston në heqjen e të gjitha tarifave tani, ndërsa ka kërcënuar të ndalojë miliona dollarë ndihmë financiare dhe më pas të tërheqë trupat amerikane nga Kosova. Sidoqoftë, Vuçiqi nuk do të rifillojë dialogun, deri pas zgjedhjeve parlamentare serbe që zhvillohen me 26 prill”.

“Qëllimi i tij është që Partia e tij Progresiste, të fitojë më mirë se në zgjedhjet e kaluara parlamentare dhe ai nuk dëshiron t’i japë kundërshtarëve radikalë nacionalistë, ndonjë justifikim për ta akuzuar atë për shitje të Kosovës”.

“Vuçiq refuzoi të lëvizte përpara javën e kaluar, kur u nxit nga Këshilltari i Sigurisë Kombëtare O’Brien, i Dërguari Special Grenell dhe dhëndri i Trumpit, Kushner duke përsëritur se ai nuk do të rihapë dialogun derisa Prishtina të heq tarifat. As premtimet e Kushner, për sasi të mëdha të ndihmave dhe investimeve të huaja, nuk e nxitën Vuçiqin.

Në një intervistë pas kthimit në shtëpi, Vuçiq deklaroi se nuk do të kthehej në Uashington për të rifilluar dialogun, deri pas zgjedhjeve dhe kritikoi nxitimin për të arritur një marrëveshje të shpejtë. Vuçiq ka qenë i kënaqur që Kurti kishte presion të madh nga SHBA-të për të rifilluar dialogun, për shkak të refuzimit të tij për të hequr menjëherë tarifat”.

“Atëherë, pse gjithë kjo nguti? Kurti do të heqë shumicën e tarifave këtë fundjavë dhe Vuçiq nuk po nxiton të rifillojë negociatat. Për më tepër, ndryshe nga Uashingtoni, Brukseli ka mirëpritur vendimin e Kurtit për të filluar heqjen e tarifave dhe nuk po i bën presion të madh publik, për të bërë më shumë”, shkruan Byrnes.

“Më në fund, nga do të vijnë ‘qindra miliona dollarë’ të investimeve të huaja direkte dhe ndihma e premtuar nga Uashingtoni, veçanërisht kur SHBA-ja nuk e ka koordinuar nismën e saj me BE-në? Do të ishte më e mençur, të bëhen lëvizje graduale dhe të ndërtohet konsensus midis liderëve politikë dhe shoqërisë, për ndryshimet që do të prodhojë marrëveshja përfundimtare”.

Ai thotë se “politikanët dhe publiku i Kosovës kanë nevojë për transparencë: nuk ka pasur deri më tani. Thaçi duhet të jetë i hapur për përmbajtjen e marrëveshjes, në mënyrë që politikanët dhe shoqëria të vendosin për të, në vend që të habiten më vonë nga ajo dhe pasojat e saj”.

“Kosovës i duhet kohë për të zhvilluar një konsensus se si të vazhdohet me dialog në mënyrë demokratike, si dhe të mos nxiten në vendime të shpejta. Në mbylljen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të 11 marsit për tarifat, Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani (një nënkryetare e LDK-së), në një reagim ndaj Thaçit, bëri thirrje për heqjen e tarifave dhe në të njëjtën kohë, që ai tërhiqet nga dialogu”.

“Kritika e Osmanit theksoi refuzimin e Thaçit që t’i bindet kërkesës së kushtetueses, se është prerogativ i qeverisë që të udhëheqë një negociatë të tillë. Tani janë Uashingtoni dhe Thaçi, që po bëjnë presion për një marrëveshje dhe kështu po e përshkallëzojnë presionin ndaj Kurtit, për të hequr tarifat. Presidenti Trump, O’Brien dhe Grenell janë pas shtytjes për një marrëveshje të shpejtë”.

Sipas Byrnes, Trump është në kërkim të një marrëveshje të shpejtë, për të rritur perspektivën për rizgjedhje, që po duket mjaft e errët për shkak të krizës ekonomike dhe shëndetësore të shkaktuar nga pandemia, e shoqëruar me rënien e çmimit të naftës dhe gjasat që ish-zëvendës presidenti Biden, do të jetë i nominuari i Demokratëve.

“Nga ana e tij, Thaçi po e shikon marrëveshjen si pjesë e trashëgimisë së tij, por ka edhe konsiderata të tjera më të rëndësishme politike. Ai do të donte të rrëzonte qeverinë Kurti, për të mbrojtur veten dhe miqtë e tij të korruptuar nga përpjekja e Kurtit, për të zhdukur korrupsionin e përhapur. Qëllimi i Thaçit, është që të krijojë një qeveri të re të koalicionit të përbërë nga LDK, partneri aktual i koalicionit të Kurtit, me PDK-në, partia që themeloi Thaçi. Ndërhyrja e Trumpit, për të marrë përsipër dialogun i ka dhënë mundësinë Thaçit ta bëjë këtë”.

“Ai po shfrytëzon kërcënimet e veprimit ndëshkues të Shteteve të Bashkuara, si një mashtrim kundër Kurtit dhe po përpiqet të grumbullojë LDK-në dhe opozitën parlamentare për të kërkuar që tarifat të hiqen menjëherë. Në deklaratat publike të bëra gjatë kësaj jave, Thaçi akuzoi Kurtin se veprimet e tij kërcënuan marrëdhëniet me SHBA dhe “‘të ardhmen e shtetit tonë’”, shkruan Byrens, përcjell Telegrafi.

“Derisa lideri i LDK-së e mbështet Thaçin, tani për tani Kuvendi nuk po e mbështet Thaçin dhe situata është në ngërç. Ia vlen që t’ju rikujtohet udhëheqësve të Kosovës, se asnjë marrëveshje gjithëpërfshirëse, nuk do t’i japë fund armiqësisë së Serbisë me provincën e saj të mëparshme. Derisa Serbia të pranojë se çfarë ka bërë në Kosovë nën sundimin e Millosheviçit, marrëdhëniet e tyre nuk do të jenë as normale dhe as miqësore”.

“Me rëndësi është se duhet t’i kujtojmë udhëheqësve të Kosovës, që SHBA-ja është dhe do të mbetet një mik i vendosur dhe nuk do të ndryshojë pavarësisht se çfarë mund të kërcënojnë Trump, O’Brien, Grenell, Pompeo dhe Kushner. Kosova nuk duhet të jetë e detyruar të pranojë një marrëveshje të rëndësishme, me një Serbi armiqësore, pasi politikanët dhe publiku i saj nuk kanë parë si pasojë e një politikani që shërbente vetëm për interesa të veta”, ka shkruar Byrnes.

Ndaj këtij teksti të diplomatit amerikan ka reaguar dje presidenti Thaçi, i cili përmes një shkrimi në Twitter, ka thënë se është zhgënjyese të shohësh miqtë e Kosovës dhe të mitë, Daniel Serwer e Shaun Byrnes, duke u mashtruar nga lajmet e rreme, pasi s’ka marrëveshje të tillë mes Kosovës dhe Serbisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Javier Solana, është dërguar në…