Ish-drejtori i minierës së Trepçës kujton protestën e ’89-s: Kam mendu që kemi me vdekë të gjithë

20 janar 2025 | 07:57

Burhan Kavaja kishte marrë detyrën si drejtor i minierës me flotacion “Trepça” në Stantërg, në vitin 1988. Vetëm një vit pas, inxhinieri bashkë me kolegët e tij organizuan një ndër grevat më të mëdha të minatorëve në historinë e Europës moderne – grevën e urisë së minatorëve të Trepçës. Kjo grevë, që nga shumëkush cilësohet si fillimi i fundit të Kosovës nën regjimin e Serbisë, dokumentohet në Reporting House të cilën Kavaja e vizitoi të mërkurën duke iu rikthyer kujtimeve personale.

Të gjithë vizitorët pa dallim, dalin nga Reporting House me përshtypjet e veta. Por janë disa vizitorë që na lënë përshtypje. Këta nuk janë vetëm vizitorë, por protagonistët dhe kontribuuesit në rezistencën e viteve 1989-1999, që shënohet në muzeun “Reporting House/Shtëpia e Gazetarëve”.

I tillë është Burhan Kavaja, burri në të tetëdhjetat e tij që me të hyrë në katin e parë të ish-objektit “Gërmia” në sheshin Skënderbeu në Prishtinë, ku gjendet Reporting House, u ndalë para ekranit të parë në të cilin shfaqen xhirimet nga greva e minatorëve të Trepçës e vitit 1989, në Mitrovicë.

Kavaja filloi të emërtoj kolegët e tij, dhe po shpjegonte për secilin se çfarë pune bënte asokohe, derisa në një moment thotë: “Ja ky jam unë”, gjersa bën me dorë drejt një burri të veshur me uniformën e Trepçës e të ulur në tryezën e konferencës duke folur para mediave për kërkesat për të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi të minatorëve grevistë.

Kjo protestë ku kishte folur Kavaja, u mbajt një muaj para suprimimit të autonomisë së Kosovës si Krahinë Autonome nën Jugosllavi, status që Kosova e gëzoi deri më 23 mars 1989.

Në vitin 1988 Burhan Kavaja, inxhinier i diplomuar në Fakultetin e Inxhinierisë dhe Xehetarisë në Universitetin e Beogradit, u emërua drejtor i minierës me flotacion “Trepça” në Stantërg. Vetëm një vit pas marrjes së detyrës së tij, ai u ballafaqua me një nga sfidat më të mëdha që kujton – grevën e urisë së minatorëve të Trepçës, si bashkë organizator dhe përgjegjës për mijëra minatorët të cilët hynë në grevë.

Kjo grevë e iniciuar nga punonjësit e Minierave të Trepçës më 20 shkurt të vitit 1989, ishte protestë që kërkonte përfaqësim të denjë të shqiptarëve në parlamentin jugosllav, shqiptarëve që nuk ishin zgjedhur nga Millosheviqi por ata që do t’i zgjidhte populli i Kosovës. Protesta kërkonte dorëheqjen e deputetëve shqiptarë që shiheshin si marioneta të partisë së Millosheviqit në atë kohë.

Protesta dallonte prej të tjerave ngase ishte grevë urie dhe ndalonte prodhimin e Trepçës prej së cilës afektohej ekonomia e tërë Jugosllavisë, jo vetëm e Kosovës. Minatorët e dinin që shtypi kroat dhe ai slloven do ta mbulonin në mënyrë më të pavarur këtë ngjarje dhe kështu shpresonin që në republikat tjera të ish – Jugosllavisë do të flitej për të drejtat e munguara të shqiptarëve në këtë shtet.

“Momenti ma i  vështirë, apo sfida ma e madhe ka qenë se si me i mbajtë gjallë minatorët, të pa lënduar e pa sakrifica”, kujton Kavaja.

Derisa Kuvendi Kombëtar i Serbisë po përgatiste ndryshimet kushtetuese që do të kishin zyrtarizuar heqjen e autonomisë së Kosovës, mbi 1,300 minatorë të Trepçës filluan grevën e tyre të urisë për tetë ditë, me kërkesë ruajtjen e statusit autonom dhe dorëheqjen e tre politikanëve shqiptarë të emëruar nga Sllobodan Millosheviq në Kosovë. Pas rreth një jave ishte realizuar dalja e parë e minatorëve, dhe afro 180 minatorë ishin shtruar në spital. Ndërsa në mbrëmjen e 27 shkurtit 1989, Rrahman Morina, Ali Shukriu dhe Husamedin Azemi, kryetarët e fraksionit pro Millosheviqit në Kosovë, dhanë dorëheqje. Në orët e vona të mbrëmjes, Presidenca e Jugosllavisë u mblodh dhe vendosi “masa të veçanta” për Kosovën që në fakt vendosi një gjendje të jashtëzakonshme të pakufizuar që nënkuptoi zbarkimin e policisë shtesë që erdhi nga Beogradi, përjashtimin e shërbyesve civil shqiptar nga puna dhe përjashtimin e nxënësve e studentëve shqiptar nga shkolla dhe fakultetet. Pesëdhjetë grevistë u  barrikaduan brenda minierës “Stantërg”, afro 1000 metra në thellësi të tokës.

“Është dashtë me përgatit daljen e dytë, e në atë kohë pusi i ventilimit ka qenë komplet në akull. U deshtë me i angazhu ekipet me pastru akullin edhe me mundësu daljen nga 1000 metra nën tokë ku kanë qenë minatorët, pra me i nxjerrë. Ajo ka qenë për mua ngjarja kryesore dhe mundem me thanë që ka pas trauma psikike dhe fizike, sepse ka qenë shumë vështirë me realizu”, rrëfeu Kavaja, gjersa qëndroi në Reporting House/Shtëpinë e Gazetarëve më 15 janar të këtij viti, duke treguar tutje se asnjëherë nuk e kishte besuar se do të dilnin të gjallë nga miniera.

“Duke e ditur që i kemi pasur edhe 2,400 kilogramë eksplozivë aty, kam mendu që të gjithë kemi me qenë të vdekur. Mirëpo, ja sot edhe pas 36 vjetëve jam i gjallë”, thotë ai me një buzëqeshje të lehtë, derisa me kërkesën tonë e dha edhe një mesazh për gjeneratat e reja.

“Më duket që [rinia] nuk kanë shumë njohuri për sakrificat të cilat ne i kemi bërë, që ata sot me qenë të arsimuar dhe me qenë nëpër pozita dhe me qenë të shkolluar e me pas familje. Më duket që shumë pak po lexohet për historinë dhe pak janë të informuar për të kaluarën tonë të vështirë”, tha ai.

“Nuk ka qenë lehtë, në vitet e ’45-ta i kemi pas diku 7-8 intelektualë, e në vitet ’77 e ’78 ky numër u rrit në 70 mijë. Domethënë lidershipi i atëhershëm ka bërë çmos që të mësojnë popullin, me eduku, që me pas profesionistë për ditët e sotme”, kujtoi Kavaja duke e vlerësuar dokumentimin e rezistencë së brezave, për lirinë e Kosovës, në Reporting House.

Me modesti, pranon sakrificën, dhe ka një mesazh edhe për “bajraktarizmin”.

“Shikoni, me bajraktarizëm kishim pas ma pak sukses se që kemi pas. Greva e minatorëve është greva më e madhe në botë. Tetë ditë e tetë netë [në grevë] për çështje politike. Zakonisht grevat e minatorëve janë sociale, por këto kanë qenë greva puro politike, e për liri”, tha Burhan Kavaja.

Burhan Kavaja u lind në Mitrovicë me 9 maj 1943. Ka diplomuar për Inxhinieri e Xehetari në Universitetin e Beogradit. Ndërkaq në vitin 1970 ka punuar si zëvendës sekretar i Sekretariatit Krahinor për Ekonomi. Nga viti 1990 e deri më 1994, ai ishte kryetar i Këshillit Ekzekutiv të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Kavaja po ashtu ka qenë deputet në Parlamentin e Kosovës dhe Kryetar i Komisionit parlamentar për energjetikë, resurse natyrore dhe industri.

Ai së bashku me miqtë e tij e vizituan Reporting House më 15 janar 2025.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rreth 12 orë pas ndalimit në Shtetet e Bashkuara, TikTok…