Ish-gardiani serb e pranon akuzën për armëmbajtje pa leje, por jo atë për krime lufte
Ish-gardiani serb i Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, Dragisha Millenkoviq, nuk e ka pranuar fajin për krimet e luftës që akuzohet se i ka kryer nga 24 maj 1999 deri më 10 qershor 1999 derisa ishte duke e ushtruar detyrën. Ai ka thënë se për këtë vepër penale nuk ndjehet fajtor.
Pos kësaj vepre penale ai është duke u akuzuar edhe për armëmbajtje pa leje, armë të cilat i janë gjetur në shtëpi më 21 qershor 2023 kur policia kishte shkuar ta arrestojë atë, për këtë ai e ka pranuar fajin.
Millenkoviqi të mërkurën e ka pasur seancën fillestare në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Arrestimi i Millenkoviq në qershor të 2023 pati revoltuar serbët lokalë në Graçanicë të cilët edhe patën protestuar.
Prokurorisë Speciale e Kosovës kishte bërë të ditur se ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri D.M. ish gardian serb i Burgut të Prishtinës dhe Lipjanit, gjatë periudhës së luftës në Kosovë 1998-1999, në Burgun e Prishtinës dhe të Lipjanit, në cilësinë e personit zyrtar dhe në bashkëkryerje edhe me zyrtarë tjerë të burgjeve, duke vepruar në kundërshtim dhe duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare gjatë kohës së luftës, përkatësisht konfliktit të armatosur, gjatë gjithë kësaj periudhe kohore në mënyrë sistematike i kishin maltretuar të burgosurit shqiptarë, duke i torturuar në mënyrë ç’njerëzore me mjete të ndryshme, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë.
Me këto veprime i pandehuri D.M. në bashkëkryerje akuzohet për veprat penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së, dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 366 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.