Ish-gjenerali Brahimaj kritikon Qeverinë: “A s’patët ku të përfitoni 10 milionë euro veç te pasuli i ushtrisë?”

30 shtator 2024 | 20:37

Ish gjenerali i UÇK-së, Lahi Brahimaj ka krtikuar qasjen e Qeverisë ndaj ushtrisë.

Ai përmes një postimi në Facebook ka kërkuar nga Prokuroria që të hetojë procesin e tenderit për furnizim me ushqim të FSK-së.

Brahimaj tha se ushtria duhet të trajtohet dinjitetshëm, e jo me komplote shtetërore që po iu bëhet vetëm për t’ua shkatërruar moralin  atyre.

Ai po ashtu tha se qasja e Qeverisë është antishtetërore.

Postimi i plotë:

Procesi i tenderit për furnizim me ushqim për Forcën e Sigurisë së Kosovës është një proces që nuk ka përfunduar… thonë nga Qeveria.

Janë një mori përgjigjesh që kërkohen e mbi të gjitha përgjegjësia politike dhe penale. Organet e drejtësisë duhet ta hetojnë këtë maskaradë. Tenderi “i pasulit” vetëm në kokën e çmendur të këtyre pushtetarëve mund të trajtohet si sekret shtetëror. Kush e mori atë të drejtë që ta cilësojë si të tillë dhe cili ishte qëllimi i vërtetë? E kuptueshme se pyetja më e qëlluar është: “A nuk patët ku të përfitoni 10 milionë euro tjetërkund veç tek pasuli i ushtrisë, apo çfarë halli keni?”.

Ushtria është krijuar për të ekzistuar sa të ekzistojmë si shtet dhe si komb. Planifikimi i gabuar është planifikim për dështim të qëllimshëm. Sekretet shtetërore janë të tjera, por komplote shtetërore për të shkatërruar moralin e ushtrisë po shohim çdo ditë. Propaganda se ushtarët që kërkojnë paga nuk janë target i Ministrisë është e ultë dhe e pavërtetë. Në kohë paqeje, ushtarët jetojnë nga paga, dhe Kosova ushtrinë profesionale duhet ta trajtojë dinjitetshëm. Nuk është në luftë Kosova që ushtarët të mos kërkojnë paga. Vetëm në luftë nuk është me rëndësi paga; e atëherë të gjithë jemi ushtarë.

Shteti i Kosovës duhet ta ndërrojë qasjen në tërësi ndaj ushtrisë. Qasja aktuale është në rrugë antishtetërore dhe antikombëtare.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Skelat nisën të lëkunden dhe u shembën bashkë me punëtorin…