Ish-gjenerali shqiptar: Një ministër nuk pranoi të furnizonte me armë UÇK-në
Ish-gjenerali shqiptar i Divizionit të Kukësit, Kudusi Lame, ka rrëfyer për sfidat që ekzistonin për të transportuar armë nga Shqipëria drejt Kosovës.
Lame ka thënë se personi i parë që i ka kërkuar ndihmë ka qenë Xhavit Haliti të cilit i ishte përgjigjur pozitivisht.
Ai tregon se pavarësisht se Shqipëria kishte mjaftë armë, transportimi i tyre drejt Kosovës ishte shumë i vështirë edhe për shkak të mbikëqyrjes ndërkombëtare.
“Sigurimi i armëve realisht ishte shumë i vështirë. Shqipëria kishte armë mjaft por kundërvënia e ndërkombëtarëve ishte e madhe. Kish një moskuptim edhe nga institucionet policore”, tha ai në “RTV Dukagjini”.
Ish-gjenerali shqiptar thotë se policia në kuadër të detyrës çdo transportim të armëve e konsideronte trafikim i armëve për përfitime materiale e jo gjest patriotik.
“Njëherë i kam thënë një ministri “duhen armë për UÇK-në”. Ai më tha “jo se do na akuzojnë për trafikantë”. I thashë “unë kam më shumë respekt për një trafikantë që më çon armë drejt kufirit dhe përfiton pesë lekë, por nuk kam respekt për asnjërin që pengon dërgimin e armëve””.
Lame thotë se ishte shumë e rëndësishme që armët që shkonin të front, pavarësisht se dikush mund të përfitonte materialisht.