Ish-hulumtuesja e Tribunalit të Hagës: Specialja është politike, Serbia ka për qëllim hakmarrjen ndaj UÇK-së

28 shtator 2022 | 21:46

Gjykata Speciale ka narrativë politike, ndërsa politika funksionon me pazarllëqe. Specialja po funksionon në margjinat e një procesi më të madh, që e çon dialogun Kosovë-Serbi në një shkallë tjetër.

Ndërsa, Serbia e ka shfrytëzuar gjykatën brenda procesit të dialogut në disa mënyra, ku një nga to është hakmarrja kundër UÇK-së dhe lidershipit të saj, i cili e ka mposhtur Serbinë në fushëbetejë dhe e ka fituar luftën.

Ekspertja e çështjeve të Ballkanit, Nevenka Tromp, e cila ishte ndër hulumtueset kryesore të Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi, në një intervistë për Demokracia.com ka thënë se dokumentet që Serbia po ia ofron Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër Thaçit dhe të tjerëve, nuk ka qartësi nëse do të pranohen si fakte.

“Ne kemi pasur rastin në ICTY gjatë gjykimit të Sllobodan Millosheviqit, ku këto dokumente janë prodhuar “post facto”, pas pesë ose dhjetë viteve kur ka përfunduar lufta, nga grupi i ekspertëve, i quajtur si “Komisioni i VJ për bashkëpunim me ICTY”. Dhe nëse e lexon se kush ishin këta ekspertë, atëherë e kupton se vetë këta kanë qenë të përfshirë në këto krime”, thotë Tromp për Demokracia.com.

Ish-hulumtuesja e Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës në rastin kundër Millosheviqit, ka thënë se çfarëdo rrethanash politike të kenë qenë në vitin 2015 dhe para krijimit të Dhomave të Specializuara, ato ishin kyçe për krijimin e kësaj gjykate.

“Ne e dimë se rrethanat politike kanë ndryshuar rrënjësisht tashmë, megjithatë ato nuk do të ndikojnë në punën e gjykatës, e cila tashmë ekziston. Secila gjykatë e ka narrativin dhe të kaluarën politike dhe i ka parimet ligjore mbi të cilat funksionon.

Politika funksionon gjithashtu bazuar në pazarllëqe. Rrjedhimisht, në procesin e krijimit të gjykatës kanë qenë një sërë akterësh, duke përfshirë akterë shtetërorë, si për shembull Rusia. Por, të mos harrohet, kjo gjykatë nuk është produkt i vendimit dhe ndikimit rus mbi Qeverinë e Kosovës. Ishte produkt i një presioni dhe ndikimit mbi Qeverinë e Kosovës nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet anëtare të Bashkimit Evropian në atë kohë. Ne e dimë se rrezikimi në pazar për krijimin e kësaj gjykatë erdhi nga Serbia.

Pse Serbia e deshi një gjykatë të tillë? Sepse, Serbia tha: në rregull, nëse na bëni presion që ta njohim Kosovën si vend të pavarur, atëherë ne duam diçka të madhe si shpërblim. Gjykata tashmë nuk e ka absolutisht vëmendjen e audiencës liberale. Askush në botë nuk po e ndjek se çfarë po ngjet në këtë gjykatë.

Dhe kjo gjykatë tash po funksionon në margjinat e një procesi më të madh, gjë që po e çon dialogun Kosovë-Serbi në një shkallë tjetër, ku Serbia po pengon çdo progres të vogël që Kosova po e arrin, që të duket si shtet i plotë funksional. Shembuj të tillë janë çështjet me tabela të veturave dhe dokumentet për kalimin e kufirit. Serbia e ka shfrytëzuar gjykatën brenda procesit të dialogut dhe atë në disa mënyra.

Një nga to është hakmarrja kundër UÇK-së, respektivisht lidershipit të saj, i cili faktikisht e ka mposhtur Serbinë në fushëbetejë dhe e ka fituar luftën. Së dyti, Serbia, duke e shfrytëzuar gjykatën, posaçërisht këtë storien rreth trafikimit të organeve për ta demonizuar popullatën kosovare në përgjithësi si nënqenie se gjoja ka bërë krime aq monstruoze, për të cilat kurrë nuk ka pasur fakte. Dhe e treta, po ashtu e rëndësishme: duke nisur narrativën e krimeve nga UÇK, po e sposton narrativën e “bad and good guys” pak përtej zonës “grej”.

Sepse, para kësaj gjykate ka qenë e qartë se kush ka bërë krime gjatë konfliktit në Kosovë. Ishin serbët! Kush ishin viktimat kryesore? Ishin shqiptarët! Tash kemi gjenerata të reja, të cilat lexojnë media vetëm prej vitit 2015 e këtej, të cilat mendojnë se edhe shqiptarët paskan bërë gjëra të tmerrshme. Është e pamundur të krahasohet shkalla e krimeve që serbët i kanë kryer me ato çka UÇK-ja ka bërë brenda një kohe të shkurtër, e cila i ka kap armët në dorë kundër okupatorit serb për t’i mbrojtur shtëpitë dhe popullatën e tyre.

Si mund të krahasohen krimet e kryera nga një shtet me infrastrukturë të plotë ushtarake kundër shqiptarëve të Kosovës, të cilët u organizuan vetë jo për të pushtuar një territor përtej atij të Kosovës, por për të mbrojtur shtëpitë e tyre, nënat, motrat dhe vajzat e tyre?!

Në këtë mënyrë, mund të shihet UÇK-ja në pozitë të mbrojtësit dhe rezistuesit ndaj pushtuesit”, ka thënë ish-hulumtuesja e ICTY-së në rastin kundër Millosheviqit për Demokracia.com.

Tromp, po ashtu, ka thënë se Serbia po e bën atë çfarë pritej të bënte.

“Jo vetëm për shkak të gjykatës, por ajo ka qenë gjithnjë e angazhuar në prodhimin dhe ofrimin e dokumenteve dhe dëshmitarëve në ICTY, ku ka përfshirë edhe shumë dëshmitarë serbë. Kur flasim për dëshmitarë, duhet ditur se asnjë fakt nuk bëhet fakt para se të pranohet nga gjykata si fakt kredibil. Prandaj, shuma e madhe e dokumenteve që Serbia po i ofron prokurorisë kundër Thaçit dhe të tjerëve, nuk ka qartësi nëse do të pranohen si fakte.

Kjo është shumë e rëndësishme të thuhet. Ne kemi pasur rastin në ICTY gjatë gjykimit të Sllobodan Millosheviqit, ku këto dokumente janë prodhuar “post facto”, pas pesë ose dhjetë viteve kur ka përfunduar lufta, nga grupi i ekspertëve, i quajtur si “Komisioni i VJ për bashkëpunim me ICTY”. Dhe nëse e lexon se kush ishin këta ekspertë, atëherë e kupton se vetë këta kanë qenë të përfshirë në këto krime. Mendoj se sot ka lojtarë të rrezikshëm, nuk do t’i jepja prokurorit të SPO aq pushtet sa mendon se mund të kenë.

Gjykatat ekzistojnë së paku për të gjitha palët dhe secila palë duhet të angazhohet dhe të luajë rolin e vet në proces, ku kemi Dhomat, Gjyqtarët, Prokurorinë dhe Regjistrin. Nëse thuhet se Prokuroria është e fuqishme, atëherë pyetja ime e parë është: ku janë gjyqtarët? Dhe pyetja ime tjetër më e rëndësishme është: ku është mbrojtja? Ekzistojnë një sërë shembujsh kur njerëzit janë liruar në lirim të përkohshëm para se gjykimi i tyre të fillojë.

Pra, cila nga këto dinamika ka pasur përparësi dhe pse mbrojtja nuk pati sukses që Thaçi dhe të tjerët të mbrohen në liri?! Për Serbinë ky proces duhet të vazhdojë pafundësisht, sepse nëse këta njerëz mbesin në burg 20-30 vjet, atëherë për ta është dënim i mjaftueshëm, kështu që më pas askush nuk do të kujtojë se në Kosovë ka pasur një luftë në 1998-1999”, ka thënë Tromp për Demokracia.com..

Nevenka Tromp është ligjëruese në Universitetin e Amsterdamit në Holandë. Ajo ishte anëtare e Ekipit Hulumtues në TPNJ dhe nga 2000 e deri më 2006 hulumtuesja kryesore në ekipin e ndjekjes penale kundër Slobodan Milosheviqit.

Tromp është edhe autore e librit “Ndjekja penale e Sllobodan Millosheviqit: Gjyqi i pambaruar”, ku thotë se do të ishte historikisht e pasaktë të fajësohet vetëm Millosheviqi për efektet shkatërruese të politikës së tij dhe ky do të ishte një reduktim historik që nuk do të shpjegonte përgjegjësinë e strukturave shtetërore të Serbisë dhe të marionetave të saj në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë gjatë viteve ’90-ta, që çuan në shkatërrime masive të qyteteve dhe fshatrave, si dhe humbje të jetëve të njerëzve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri, ka folur për zgjedhjet e…